Qeveria e Kosovës është zbythur nga pretendimi për t’ia pezulluar certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova. Një javë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte marrë vendimin e paparë deri me tani në Kosovë, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka njoftuar se ka shfuqizuar vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit për televizionin.
Vendimi i MINT-it për pezullimin e kësaj licence kishte nxitur reagime të ashpra vendore dhe ndërkombëtare. Veprimi i qeverisë nga mediat e Kosovës, opozita dhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë ishte cilësuar si i dyshimtë ose si sulm ndaj fjalës së lirë.
Në njoftimin e saj, ARBK ka bërë me dije se vendimin e ka shfuqizuar pasi kanë ndryshuar rrethanat faktike.
“Me këtë rast, Drejtoria e ARBK-së zyrtarisht ka njoftuar se kështu ‘kanë ndryshuar rrethanat faktike’, të cilat kishin nxitur vendimin e javës së kaluar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke dhënë vlerësimin e ri se ai vendim tash është shfuqizuar”, ka njoftuar Klan Kosova.
Oda Ekonomike e Serbisë: Të dyja palët po pësojnë për shkak të bllokadave në kufi
Mirëpritet tërheqja e pushtetit
Përfaqësuesit e mediave e kanë mirëpritur vendimin e ARBK-së për të anuluar vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të medias Klan Kosovës.
Flutura Kusari, juriste e mediave, ka vlerësuar se ky veprim vërteton 100 për qind faktin që vendimi i parë nuk ishte dokument juridik, por vendim politik i menduar keq.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kushdo që e ka mëndur një gjë të tillë ka vepruar në mënyrë të gabuar.
“E mirëpres vendimin e ARBK-se për te anuluar vendimin e kundërligjshëm për pezullimin e certifikatës së biznesit të medias Klan Kosova. Anulimi vërteton 100% faktin që vendimi i parë nuk ishte dokument juridik por vendim politik i keqmenduar dhe i demshem. Me vjen shumë shumë keq për demin që i është bërë vendit tonë. Kushdo që e ka mendu, koordinu dhe aprovu këtë ide ka gabuar rëndë dhe pasojat do t’i vuan shoqnia jonë, vendi jonë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti”, ka shkruar Kusari.
Vendimin e ka mirëpritur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga publikimi i këtij vendimi, kishte ngritur shqetësimin për veprimin e MINT-it, dhe e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Pretendimet e MINT-it
Një javë me parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj televizionit Klan Kosova , zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë.
Kallëzimi ishte ngritur nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Përmes një komunikate për medie, kjo ministri kishte njoftuar se ka marrë vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për televizionin në fjalë.
“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK”, ishte thënë në komunikatë.
Një veprim i tillë kishte nxitur reagime të shumta në vend. Kjo sepse asnjëherë deri me tani në Kosovë nuk ishte parë një rast që Qeveria tenton ta mbyll një media.
Më pas, rasti u dërguar në Komisionin e Pavarur për Media, i cili është institucioni kompetentet për marrjen e licencave për mediat audio-vizove.
Javën e kaluar, KPM-ja ka rekomanduar që Klan Kosova brenda 30 ditësh të plotësoj dokumentacionin e nevojshëm. “1. Obligohet ofruesi i shërbimit medial “Klan Kosova”, që në afat prej 30 ditësh, nga pranimi i këtij vendimi, të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës se transmetimit, konform Rregullores KPM-2021/01 për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele, dhe 2) Dështimi për të vepruar në pajtim me Rregulloren KPM-2021/01 brenda afatit të përcaktuar më lartë, do të rezultojë me masa sanksionuese të përcaktuara në Ligjin për KPM”, ishte thënë në rekomandimin e KPM-së.
Pas anulimit të vendimit për pezullimin e licencës, Klan Kosova ka falënderuar të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe shprehjes, ambasadat, si dhe kolegët gazetarë që i dolën në mbështetje në këtë proces.