Një hetim i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për kontrabandim më migrantë dhe pjesëmarrje në grup kriminal. I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit policor, ndërsa hetimet janë zgjeruar për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
Gazeta Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive se si ka funksionuar ky grup me anëtarë në Shqipëri e Kosovë, me qëllim kontrabandimin e migrantëve.
Si i mëshoi shkelm nga Estonia Kurti krejt asaj që dikur e jepte për fakt të kryer?
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i arrestuari është Adnan Krasniqi, i cili dyshohet se është anëtar i këtij grupi, që bashkëpunon me një grup nga Shqipëria, për t’i sjellë në Kosovë shtetasit nga Bangladeshi.
Hyrja e tyre e kundërligjshme në territorin e Kosovës është bërë me plan të detajuar, ashtu që i kanë lënë migrantët te kufiri dhe nga aty janë marrë nga anëtarët e grupit në Kosovë. Të njëjtit më pas janë dërguar të kufiri me Serbinë.
Gjithë kjo punë që është kryer nga së paku 4 persona në Kosovë është paguar deri në 300 euro nga migrantët, të cilët kanë pasur qëllim që ta shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit për kalim në shtetet e BE-së.
Sipas të njëjtave burime, anëtarët e grupit kriminal në Shqipëri, i kanë marrë viktimat gjoja si punëtorë, që të kamuflojnë qëllimin e tyre për migrim.
I arrestuari kosovar për këtë rast është kapur në flagrancë nga zyrtarët poliorë, teksa transportonte migrantët, ndërsa tashmë janë identifikuar edhe disa persona të tjerë të dyshuar.
Me rastin e kontrollit policor, janë sekuestruar edhe prova të ndryshme, që do të shfrytëzohen si dëshmi lidhur me rastin.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
“Prokuroria Speciale njofton se A.K është ndaluar për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me migrantë’’, nga neni 164 dhe veprën penale ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 277 i Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( “KPRK”).
Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.”, ka njoftuar Prokuroria.