Legjenda e Interit, Javier Zanetti, tani zëvendës president i kampionëve të Italisë – haptazi ka deklaruar se klubi italian ka probleme serioze ekonomike.
Pandemia COVID-19 ka dëmtuar gjithçka, ne veçanti edhe botën e sportit.Sipas Zanettit, që klubet t’i kthehen normalitetit pas pandemisë, do të duhen shumë vite.
“Ne kemi kaluar dhe po kalojmë probleme të mëdha financiare, do na duhen disa vite për të marrë veten dhe për të gjetur ekuilibrin financiar, u shpreh ai.
“Kemi nevojë që njerëzit të rikthehen në stadiume. Një gjë e tillë do ndikonte në tërheqjen e sponsorëve”.
“Interi do të fillojë të rritet në momentin që do t’i rikthehemi normalitetit. 102 milion euro humbje? Fatura ishte edhe më e lartë…”.
“Situata është e vështirë, nuk ka pse të fshihemi, por fitimi i titullit duhet të na shërbejë si një pikë nisje. Duhet të jetë baza e projektit tonë, por ne drejtuesit duhet të jemi të qartë se çfarë drejtimi do të ndjekim”.
Ai më pas foli edhe për Superligën Evropiane.
Ish-kapiteni i Zikaltërve thotë se gjithçka ishte një gabim.
“Një ide që zgjati pak, përgjigjen e dhanë vetë tifozët. Super League ishte një gabim, ne duhet të mësojmë nga gabimet, por kjo që ndodhi do ndihmojë UEFA-n dhe FIFA-n për të gjetur së bashku me klubet një zgjidhje që përmirëson futbollin”, deklaroi ai mes tjerash.
Katër xhiro para fundit të sezonit, Interi u shpall kampion i Italisë, duke fituar Scudetton pas 11 viteve. /Gazeta Botapress/