Ministria e Infrastrukturës prej sot i ka lënë pa vende pune rreth 250 ligjërues të auto shkollave në Kosovë, disa prej tyre pas një përvoje 17-18 vjeçare, falë Ligjit për patentë shofer (Nr. 05/L-064 PËR PATENTË SHOFER) i cili në një pikë të tij është diskriminues dhe lë për të dyshuar se është bërë për interesa të oligarkëve.
Ky ligji, i cili ka hyrë në fuqi në qershor 2016, gjegjësisht Neni 10, i tij cili ka të bëjë me ligjërues profesionalë të auto shkollave, në pikën 1.2 thotë se personi duhet t’i këtë të përfunduara studimet nga lëmi i komunikacionit, të barasvlershme me së paku 120 ECTS, sipas sistemit të Bolonjës.
Kjo është krejtësisht në rregull sa i përket licencimit, por problemi qëndron te fakti se ky kriter zbatohet njësoj edhe për ri-përtëritjen e licencave, disa të marra para 20 viteve apo thëne më qartë në disa raste edhe në ripërtëritjen e katërt.
Për ta bërë më të qartë për opinionin, po mundohem ta sqaroj rrjedhën e kësaj problematike. Pas vitit 2000 Ministria e Transportit organizon trajnime për ligjëruesit e rinj dhe ata që donin të vazhdonin licencat dhe një nga kriteret ishte që kandidati duhet të ketë përgatitje arsimore të lartë apo universitare dhe të gjithë këta ligjërues, që sot humbën vendet e punës, iu kanë nënshtruar provimeve profesionale në lëmin e komunikacionit si dhe kanë përgatitur dhe mbrojtur punim diplome si dhe testin me shkrim, para komisionit profesional të kësaj Ministrie (shumica nga anëtarët e komisionit janë edhe sot anëtarë komisionit për vlerësim).
Këto provime, punime diplome, vlerësime deri në marrjen e licencës si ligjërues, padyshim që gjinden në dosjet e çdo njërit nga kandidatët e licencuar nga kjo Ministri.
Te gjitha këto trajnime e provime janë ofruar me pagesë.
Me aprovimin e këtij ligji, të gjithë këtyre personave u është mohuar e drejta e ri- licencimit dhe ushtrimit të profesionit të tyre më tutje, pa marrë parasysh se të ata janë licencuar nga kjo Ministri dhe se shumë prej tyre janë me përvojë 20-vjeqare në këtë profesion.
Për tërë këtë problem, që nga aprovimi i këtij ligji, ne ju jemi drejtuar me gojë dhe me shkrim atyre që ishin përgjegjës deri më tani, por asgjë nga vërejtjet tona nuk u përfill.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat tona me shpresën që Qeveria do ta rishikojë dhe përmirësoje këtë kriter të vënë me këtë nen, që konsiderojmë se është diskriminues dhe për më tepër na bënë të besojmë se është bërë nga grupe të caktuara të interesit.
Përderisa në regjion, në vendet fqinje ri-licencimi bëhet vetëm me mbajtjen e seminareve, trajnimeve, tek ne, për ri-licencim kërkohet edhe një fakultet shtesë pas 20 viteve përvojë pune.
Në pikën 2 të nenit 10, thuhet: Licenca për ligjërues profesional lëshohet me vlefshmëri për pesë (5) vite, me mundësi të përtëritjes, përderisa licencat e fundit neve na u lëshuan, pas aprovimit të këtij ligji, për vetëm 2 vite e gjysmë.
Ec e mere vesh tani si mund të jesh ligjërues 2 vite e gjysmë me këto kritere, por nuk mund të jesh për dy vite e gjysmë të tjera, përkatësisht për 5 vite, aq sa parashihet.
(Autorja është nënkryetare e Federatës së Auto shkollave të Kosovës)