Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Kosovës që të anulojë aktgjykimin e deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, të cilit Gjykata e Apelit ia ka konfirmuar dënimin me dy vjet burg për mohimin që i njëjti ia ka bërë ma Masakrës së Reçakut.
Vuçiq thotë se në rast se nuk anulohet ky vendim, atëherë marrëveshja e Brukselit nuk do të ekzistojë më.
I pari i shtetit serb, është pyetur se në rast se vendimi kundër Todosijeviqit nuk anulohet, tha se të gjitha vendimet janë të mundshme.
“Nëse vendimi i Todosijeviqit nuk anulohet, është e qartë për ju se marrëveshja e Brukselit, me vendim të shqiptarëve, nuk ekziston më, kështu që atëherë të gjitha vendimet janë të mundshme”, është shprehur Vuçiq, shkruan Kossev, transmeton Klankosova.tv.
Tre ditë më parë, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore të dhënë për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, me dy vjet burgim për një deklaratë të bërë në mars të vitit 2019 ku kishte deklaruar se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.