Është dita e katërt që Kryeministri Kurti vazhdon t’i mbajë në terr informativ qytetarët dhe mediat, rreth takimit të tij pesëorësh me Vuçiqin. Presidenti serb i ka zbuluar propozimet e Kurtit më Bruksel, të cilat Zyra e Kryeministrit nuk i mohoi – duke respektuar heshtjen e vet. Kurti kritikohet për mostransparencë.
“Deklaratat të cilat vijnë nga Beogradi nuk bënë kurrsesi që t’i merrni si fakte”. “Nuk ka nevojë që ata t’ju gënjejnë edhe më shumë e që ta kuptoni që nuk duhet t’ju besoni më asnjëherë”. Këto janë dy fjali që ua kishte thënë Kryeministri Albin Kurti gazetarëve, të cilët i akuzonte se po i çojnë agjendat e Serbisë.
Kryeministri Kurti, që qorton mediat për transmetim të fjalëve të Beogradit, s’do që të flasë rreth atyre që ai i ka folur me Presidentin serb në tavolinë.
Për propozimet e Kurtit në Bruksel foli dje presidenti i Serbisë në një konferencë-shfaqje, të cilën e kishte thirrur për të dielën, pas takimit me përfaqësuesit serbë të Kosovës.
Ish-kryedipomatja kosovare, Meliza Haradinaj, e përgëzoi Kryeministrin për qëndrimin, të cilin thuhet se e ka mbajtur ai në Bruksel. Megjithatë, ajo është e pakënaqur që qëndrimin e Kurtit nuk e tregoi ai vetë.
“E përgëzoj kryeministrin Albin Kurti për këtë qëndrim dinjitoz të mbajtur në takimin e fundit të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, por NUK e përgëzoj pse këtë qëndrim po na e sqaron Vuçiqi e jo ai vetë. Vetëm transparenca do të ndërtojë unitetin politik!”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.
Për mbylljen e Qeverisë është deklaruar edhe Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate. Ai pyet se si ndodhi që të merret vesh nga Vuçiqi ato që u thanë në Bruksel.
“Dialog i mbyllur. Dialog përjashtues. Dhe kjo vetëm nga delegacioni i Kosovës. Si u bë që për çka u tha e çka nuk u tha në dialog e marrim vesh nga mediat në Serbi, ku raporton Vuçiqi?”
Duke iu referuar fjalisë ku Kurti akuzon për ndikim nga “mediat armike”, Molliqaj thotë se “Nuk ka burim as informacion, e sidomos llogaridhënie nga pala e Kosovës për dialog”.
Njoftimi i vetëm i Qeverisë
Takimi i 18 gushtit në Bruksel, i cili u vendos të mbahej pas tensioneve në veri më 31 korrik, ishte ngjarja që u përcoll me shumë vëmendje, edhe të ndërkombëtareve.
Kryeministri Kurti nuk ka folur fare për takimin që e pati me Vuçiqin javën e kaluar, ndërsa Qeveria e kurorëzoi ngjarjen me një njoftim, të padetajuar.
“Sot në Bruksel u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë, që vazhdonte edhe me pak sfond rreth tij.
Ky takim është dashur të mbahej me 19 korrik. Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje.
Më poshtë, tregohej se në takimin më Vuçiqin ishin diskutuar dy tema.
“E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.
Tjetra, sipas ZKM-së, “ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.
Në fund të njoftimin ishin falënderimet e Kurtit për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Çka tha Vuçiq se propozoi Kurti më 18 gusht?
Presidenti serb përsëriti se në Bruksel është kërkuar që të kthehen targat KS, për të zëvendësuar ato që i lëshon Serbia ilegalisht, për rajonet e Kosovës, por ky propozim është refuzuar
Gjithmonë sipas Vuçiqit, Kurti ka hedhur gjashtë propozime në tavolinë.
E para, sipas asaj që tha Presidenti serb, është njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
E dyta, kompensimi i Kosovës për dëmet njerëzore dhe materiale që i ka shkaktuar Serbia në luftën e fundit. E treta është bashkëpunimi i ndërsjellë, ndërsa tjetri propozim është njohja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës, ashtu siç u njihen serbëve të Veriut.
Pika e pestë, që Vuçiq thotë se e ka propozuar Kurti, është rishqyrtimi i marrëveshjeve që janë arritur deri tash.
Dhe e fundit, është marrëveshja finale.
Ato që u thanë nga Vuçiq i mori me rezerva edhe Uk Lushi, opinionisti që jeton në SHBA, e që komenton shpesh në mediat e Kosovës. Ai i kërkoi Kurtit t’i informojë Kuvendin dhe qytetarët.
“Mos i hani foret e Vuçiqit. Sidomos mediat shqiptare. Ajo çka thotë Vuçiqi mund të jenë gënjeshtra dhe diversion politik. KM Kurti duhet të informojë Kuvendin për qëndrimet e tij dhe Kosovës në bisedimet me Vuçiqin dhe Serbinë. Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës duhet të marrin vesh të vërtetën e plotë nga personi që Kosova e paguan dhe emri i tij është Albin Kurti” ka shkruar Lushi.