Po bëhet gati një javë nga vrasja tragjike që tronditi Skenderajn, ku 42-vjeçari Ismet Ibishi u ekzekutua me 14 plumba brenda një lokali të qytetit.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe komunitetin, ndërsa vëllai i viktimës, Fatos Ibishi, ka dhënë një rrëfim ekskluziv për IndeksOnline, duke zbuluar detaje të reja për momentet e fundit të Ismetit dhe kërkesën e fundit të dorasit para aktit fatal.
“Dorasi, para se ta vriste, i kërkoi vëllait tim të zhvishej. Ai nuk pranoi, dhe pastaj filloi ta ofendonte, ta shante… As shkijet nuk do ta bënin një gjë të tillë. Kanë dashur ta çnjerëzojnë.” – ka thënë ai.
Fatosi shpreh dhimbjen për humbjen e vëllait nga dikush që e konsideronte si familjar të afërt:
“Jemi ushqyer në një sofër. Madje atë që ma vrau vëllain, e kam thirrur ‘babush’.”
Vrasja e Ismet Ibishit ka lënë pas një boshllëk të madh në familjen e tij. Ai la pas një grua shtatzënë dhe pesë vajza të mitura, të cilat tani përballen me një humbje të rëndë dhe të pazëvendësueshme.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi për vëllanë e tyre.
Për më shumë detaje, ndiqni rrëfimin e plotë në videon më poshtë./ IndeksOnline/