Pasditen e së shtunës, në lagjen Arbëria në Prishtinë, në afërsi të një hoteli u vra një person, i cili u qëllua me armë zjarri dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Për motive akoma të panjohura, viktima u gjuajt nga njëri prej të dyshuarve, që tashmë janë objekt hetimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Tre anëtarë të familjes Mustafa janë marrë në pyetje si të dyshuar, dy prej tyre për vrasje, e tjetri për ndihmën pas kryerjes së veprës penale.
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim me të cilin ua ka vazhduar masën e ndalimit në stacionin policor edhe për 48 orë, dy të dyshuarve Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa, që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Deri të kjo masë, ka ardhur si rezultat i asaj se Gjykatës i nevojitet edhe më shumë kohë për analizimin e provave dhe shkresave të lëndës për caktimin e masës së paraburgimit, masë kjo e propozuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Mungesa e nënshkrimit dhe maskimi i Asociacionit – çka u arrit me marrëveshjen në Ohër
Kështu është bërë e ditur nga avokati Skender Musa i cili është edhe mbrojtës i të dyshuarit Mustafë Mustafa.
“Ajo çka mund të them tash është se për shkak të zgjatjes së seancës, arsyetimit të provave, Gjykata ka marrë vendim për 48 orë me vazhdu mbajtjen derisa t’i analizon provat dhe shkesat e lëndës”, tha avokati Musa për Betimi për Drejtësi.
Gazeta Sinjali kishte raportuar më 18 mars se pas orës 13:00 në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku banorët u tmerruan kur dëgjuan të shtënat me armë që ishin tragjike për viktimën. Vdekjen e të ndjerit e konfirmoi ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, teksa edhe dy nga tre të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore për çka u dërguan në QKUK.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Policia, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë në objektet përreth vendit ku ndodhi vrasja. Si dëshmi për rastin janë konfiskuar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur, gëzhoja, si dhe një mjet i mprehtë.