Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar për vrasjen tragjike të zyrtarit policor, Lirim Haxholli, në një ndejë nga kolegu i tij.
Ai ka thënë se me të marrë lajmin ka kontaktuar me IPK-në të cilëve ai thotë se u ka kërkuar angazhim në hetimin e plotë të rastit.
“Në orët e hershme jam njoftuar për incidentin me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar nga i cili ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lirim Haxholli. Shpreh ngushëllimet e mija familjes së të ndjerit për humbjen e familjarit të tyre. Me të marrë lajmin, kam kontaktuar Kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur.Tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, IPK ka treguar se sot lidhur me rastin janë suspenduar 15 persona të cilët kishin qenë në këtë ndejë.
Nga këta 15 zyrtarë policorë, një është arrestuar për vrasje, teksa pesë tjerë janë arrestuar për gjuajtje me armë.