Bashkimi Evropian ka përsëritur se lidhjet me vendet e Ballkanit Perëndimor i sheh me një rëndësi të veçantë dhe ka ritheksuar gatishmërinë që ato lidhje të forcohen.
Në të njëjtën kohë, BE-ja është shprehur e gatshme të përfshijë edhe vendet e këtij rajoni në disa politika të saj, përfshirë edhe në planet për sigurimin e burimeve të reja të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe naftë, në kohën kur BE-ja po ndërmerr masa për të zvogëluar ndikimin nga Rusia.
Edhe një deputet i VV-së i del kundër Strategjisë së Sigurisë që prezantoi Kurti
Për këto, si dhe për temat tjera, pritet të diskutohet në takimet që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë javë do të nisë një turne katër ditësh nëpër gjashtë vendet e këtij rajoni.
Vizitat në vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyn do t’i nisë në Shkup të mërkurën. Prej atje të enjten do të vizitojë Kosovën, prej nga të njëjtën ditë do të vazhdojë për në Tiranë.
Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Sarajevë më 28 tetor dhe në Beograd. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi të shtunën, më 29 tetor.
Von der Leyen në rajon do të diskutojë me bashkëbiseduesit e saj edhe për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat që ka, si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për tërë Evropën, do të jetë po ashtu një prej temave që pritet të diskutohen./Botapress.info/