Jo rrallëherë hajnat e persona të ndryshëm ua mësyjnë shkollave fillore e të mesme në Kosovë. Një rast i tillë ndodhi në objektin e shkollës profesionale në Shtime, ku hajnat kanë kryer vjedhje gjatë ditës së sotme dhe dëmi kap vlerën e rreth 1 mijë eurove.
Burimet kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga drejtoria, me ç’rast Policia është vënë në dijeni se persona të panjohur kanë vjedhur pajisje të ndryshme të sportit nga salla e shkollës.
Ende nuk dihet se si të dyshuarit kanë depërtuar brenda shkollës dhe kanë marrë gjësendet sportive, por sipas drejtorit vepra dyshohet se është kryer në orët e mbrëmjes, kur askush nuk ka qenë brenda hapësirave të shkollës.
Me t’u raportuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për “vjedhje të rëndë”.