LEONORA LAÇI/ shkurt 2025
Kundërshtarët politik të Kryeministrit Albin Kurti përdorën çdo formë, çdo mjet, çdokënd që të pengojnë fitoren e tij të pashmangshme. Çdo kush që ishte pro Kurtit duhej të “persekutohej”, të përndiqej, të hiqej nga puna, të mos ketë mundësi të dal nëpër tubimet pro tij, t’i mbyllej goja me çdo kusht, por rezultatet e zgjedhjeve dëshmuan atë që populli dëshiron pavarësisht makinacioneve që u përdorën.
Ata të gjithë bashkë kaluan edhe përtej Oqeanit për luftën e tyre o me ne o kundër nesh dhe nuk kursyen as z.Agim Aliçkaj duke e nënçmuar figurën dhe aktivitetin e tij kombëtar por puna dhe veprimtaria e tij mbi 30 vite në SHBA flet vetë dhe këtë mund ta vërtetojnë shqiptarët e Amerikës që kanë qënë krah për krah me të. Ata që folën kundër tij nuk e dijnë që vetëm sa e kanë lartësuar figurën e tij edhe më tepër.
Në një intervistë z.Florin Krasniqi një nga mbështetësit më të mëdhenjt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëpunëtor me Agimin dhe komunitetin shqiptar në SHBA, u shpreh në një intervistë në televizionin KTV të Kosovës: “Prej ditës së parë që kam shkue unë në Amerikë e deri kur kam ardh para dy javëve, nuk është ba një takim i rëndësishëm ose fundraising (fushtatë) që Agim Aliçkaj nuk ka marr pjesë, kurrë ama kurrë nuk është bërë diçka më rëndësi në Komunitet. Sa udhëtimet i ka ba, e i ka siguru udhëtimet për të gjithë njerëzit për të shku nëpër Dëgjimet Publike që janë bërë në Kongres apo Senat, ai kurrë nuk e ka nda punën për Kosovën e me dal do rrugaça që ia marrin nga 2 euro nanës për me shku me pi i kafe, e me ofendu Agim Aliçkajn, qashtu dojnë me ba shtetin e Kosovës, qashtu bahet Kosova, ajo asht Kosova. Mundesh mos mu pajtu me Agim Aliçkaj, unë 100 herë nuk jam pajtu me te, por kontributin e Agimit dhe Agimave të tjerë në Amerikë të vret Zoti, mos me të denu shteti, të vret Zoti mos me ia pranu.”- përmbyll ai.
Është e turpshme sesi në Kosovë minimizohet veprimtaria e dikujt apo shumë kujt jashtë atdheut, kur në faktë Kosova e ka lirën fal mbështetjes amerikane por kjo mbështetje amerikane sdo të vinte pa lobim nga shqiptarët e Amerikës, ky lobim nuk do vinte pa bashkëpunimin mes shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe kauzën e Kosovës ta ndërkombtarizonin me të madhe.
Është e turpshme që gazetari Berat Buzhala hidhet kundër Agim Aliçkaj pa u menduar dy herë vetem pse nuk pajtohet me qendrimet e tij, më e ndershme është të thuash që unë s’ ndaj të njëjtin mendim me ty dhe ta argumentosh pse-hin, por këto njerëz janë si kameleoni që ndërrojnë ngjyrë por në këtë rast sipas interesave politike ai ndërron dhe fjalët. Burri mbahet nga fjala dhe një burrë që ndryshon fjalën atëherë nuk quhet më i tillë. Agim Aliçkaj i ka të shenjta besën dhe fjalën dhe është udhëhequr nga këto të dyja gjithë jetën e tij.
Për veprimtarinë e shqiptarve të Amerikës ndaj çështjes së Kosovës po botohen libra çdo ditë sepse shqiptarët e Amerikës nuk janë shqiptarë gjakprishur që mund të lëkunden nga interesa të çastit siç ndodh në Shqipëri e në Kosovë që për një pozitë shtetërore ti lekundesh dhe je i zoti të mohosh dhe vetveten siç po e bëjnë Buzhalat me kompani vetëm e vetëm të përfitojnë ekonomikisht e materialisht dhe një ditë të bukur kur ata që të përdorin të hedhin tutje ti çohesh dhe reagon por atëherë ka për të qënë shumë vonë.
Të merresh dhe të denigrosh figurën e Agim Aliçkajt, ku ne shqiptarët e Amerikës e dijmë mirë se kush është ai, që me punë të ndershme pa u servilosur askujt gëzon një reputacion të lartë, ka një biznes të suksesshëm për disa dekada ku shpesh herë biznesin e tij e ka vendosur në funksion të çështjes kombëtare dhe fitimet nga biznesi i ka përdorur për interesa të Kosovës. Ai i cili nuk pushoi asnjë moment së lobuari që diaspora shqiptare të merrte pjesë masive në votimin në zgjedhjet parlamentare te 9 shkurtit 2025, por duke shprehur hapur dhe qendrimet e tija pro Kurtit dhe duke shpresuar për një fitore të tij dhe jo se fitorja e Kurtit atij i sjell ndonjë dobi personale por sepse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë qënë dhe janë për të figurat politike që i duhen Kosovës dhe ata po mbrojnë interesat shtetërore të Kosovës gjë që politikanët e tjerë i kanë shitur këto interesa.
Siç dhe ai shkruan një nga artikujt e tij së fundmi nën titullin: “KOSOVA PA VERIUN NUK ËSHTË SHTET-Asociacioni serb i çfarëdo lloji e fut Kosovën nën Serbi”. Citoj porosinë e tij të sinqert për liderët në pozitë, opozitë dhe mediat në Kosovë: “ Gjëja më e rëndësishme është që ju e keni mbështetjen e shumicës së popullit të Kosovës. Politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë vijnë e shkojnë. Të gjithë ata janë të përkohshëm. Vetëm populli është i përhershëm. Jeta juaj politike varet nga populli i Kosovës, jo nga ndërkombëtarët. Qëndroni së bashku për të fituar të paktën edhe një mandat me më shumë se 50% vota. Vetëm kështu miqtë dhe armiqtë do t’ju respektojnë ju dhe vendin që përfaqësoni. Ju gëzoni respekt dhe mbështetje të veçantë nga veprimtarët e shquar për të drejtat e njeriut dhe kombëtare shqiptare, legjendat e gjalla të lobimit në Washington Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, shumica e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, si dhe shumica dërrmuese e mërgimtarëve në SHBA. Mos lejoni që politikanët të cilët janë të gatshëm të shesin shtetin dhe kombin për interesa personale e partiake, për vjedhje e korrupsion, të marrin në dorë qeverisjen e Kosovës. Partitë opozitare të Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se për të fituar besimin e popullit duhet të bëhen më të mira se pozita. Kërkesat e tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar në interes të shtetit duhet të jenë më të mëdha, jo më të vogla se ato të qeverisë. Pritshmëria minimale për ta është uniteti kundër Serbisë. Mbështetja e popullit nuk mund të arrihet me ofendime, shpifje dhe kritika të pavend, por duke ofruar zgjidhje konkrete. Mediat në hapësirën shqiptare dhe analistë të ndryshëm janë bërë aq të neveritshëm me komentet e tyre saqë është e pamundur të ndiqen. Ata po gënjejnë aq shumë kundër qeverisë, sa nuk mund t’u besohet as kur thonë të vërtetën. Ndonëse e sulmuar nga të gjitha anët, qeveria e Kosovës ka bërë një punë të madhe, veçanërisht në planin ndërkombëtar. Presionin ndërkombëtar e ka përballuar me dinjitet dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bërë lëshime për gjëra të vogla, por jo për ato që cënojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit.”- thotë ai.
Z.Aliçkaj ka një veprimtari të gjërë për disa dekada në rradhët e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i pandashëm dhe i pandalshëm në çdo veprimtari të kësaj organizate me në krye ish-Kongresistin arbëresh z.Joseph DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardi, ka qenë dhe anëtar i Keshillit të Federatës Panshqiptare Vatra për 3 dekada, një mbështetës i çdo nisme shqiptare që ka qëllim për forcimin e komunitetit shqiptar në SHBA, lobues i çështjes kombëtare, kritikues i nismave të gabuara të qeverive shqiptare.
Ka marrë shumë dekorata të ndryshme ndër ta dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Shkelqësija e tij z.Ilir Meta në vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dekorata e dhënë me titullin e lartë ”Kalorësi i Urdhërit të flamurit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e spikatur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; organizimin e diasporës shqiptare në SHBA: forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane; lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” Nr.Dekreti 13680, Tiranë me 09.06.2022. Por asnjë dekoratë nuk e gëzon z.Aliçkaj kur Shqipëria e Kosova me qeverisjet përkatëse kanë ende shumë punë përpara drejt afrimit të mëtejshëm me njera-tjetrën.
Agim Aliçkaj është nga ato njerëz që s’ka kursyer asgja për çështjen e Kosovës, që s’ka përfituar asgjë për punën që ka bërë, të cilën e ka bërë vetëm e vetëm për të mirën e Kosovës. Ai nuk ka asnjë interes personal dhe s’ka mbështetur Kurtin për të përfituar poste në politik. Ai ka mbështetur dhe mbështet çdo politikan të ndershëm e të drejtë dhe që punon për kombin shqiptar pavarësisht bindjeve politike që ka.
Për Agim Alickajn flet vetë puna tij për rreth 35 vite duke u përpjekur që të dëgjohet zëri i mbytur i Kosovës Martire.