Nga aksidenti tragjik i ditës së sotme të ndodhur në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 persona, ndërsa të lënduar dhjetëra të tjerë.
Në mesin e viktimave është edhe njëri nga shoferët e autobusit i cili në momentet e aksidentit nuk ishte në timon. Djali i axhës së tij në një lidhje direkte për RTK-në, ka thënë se lajmin për vdekjen e familjarit të tyre e kanë marrë nga agjencioni ‘Deva Tours’, ndërsa përmes burimeve zyrtare ende jo.
“Lajmin e kemi marrë nga agjensioni. Për të na kanë njoftuar që është në mesin e të vdekurve, por jo nga burime zyrtare por vetëm nga agjencsioni. Por, ne kemi hapur të pamen prej ditës së sotme”, tha ai.
“Naseri ka qenë shofer me përvojë të gjatë dhe ka vozitur në disa agjencione. Sikur të kish qenë ai duke vozitur, nuk do të kishte ndodhur ky rast, por ka ndodhur dhe ju shprehim ngushëllime të gjithëve”, ka nënvizuar djali i axhës së të ndjerit.
Ai apeloi në fund tek mediat që të jenë më të kujdesshme dhe më të vëmendshme në rastet e tilla, pasi po krijojnë huti dhe dhimbje më të mëdha tek familjet.