Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Gazetën Express vazhdimësinë e këtij aksioni edhe gjatë ditës së sotme.
Prokurori Maloku tha për Gazetën se aksioni është duke vazhduar dhe deri më tani janë kontrolluar 12 lokacione.“Operacioni s’ka përfunduar ende, po ndodh në 12 lokacione. Në Prishtinë, Ferizaj, Lipjan, Skenderaj etj”, tha prokurori Maloku.
Ai tha se nuk mund të konfirmojë nëse ka arrestime, pasi tha se brenda pak minutash Prokuroria Themelore e Ferizajt do të dalë me një komunikatë për media.
Në aksionin e parë të njohur si “Brezovica”, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin arrestuar 10 persona në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.
Aksioni kishte vazhduar edhe në janar të këtij viti me ç’rast kishte rezultuar me arrestimin e shtatë personave.
Të arrestuarit dyshohen kryesisht për veprat penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje e dhënie të rryshfetit./Botapress.info/