Ministrat e kësaj qeverie dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të gjitha e kanë shef Albin Kurtin. Por, edhe pse ky i fundit ka heshtur, vartësit e tij e kanë bërë “lëmsh” me propozime në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke radhitur listë dëshirash secili për vete.
Ministria e Financave e udhëhequr nga ministri i Kurtit, Hekuran Murati, ka propozuar që të ngritet pragu i bllokut të parë në 1,000 kWh. Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga ministrja e Kurtit, Artane Rizvanolli, ka propozuar ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Abin Kurti, i ka rekomanduar ZRrE-së që nivelin e propozuar nga 600kWh/muaj ta ngrisë në nivelin 800kWh/muaj.
Që të tria këto rekomandime janë pjesë e komenteve lidhur me raportin konsultativ të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara dhe për strukturën tarifore, të cilat i kanë dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë vartësit e kryeministrit Kurti, i cili personalisht ka zgjedhur të mos e dërgojë asnjë koment, shkruan Demokracia.com.
Edhe Ministria e Ekonomisë, e cila është ministri e linjës dhe herën e parë ishte pjesë e koordinimit institucional të pragut prej 600kWh, sepse ZRrE-ja e dinte saktë edhe subvencionin prej 75 milionë euro që do ia bënte Qeveria, pas presionit publik, këtë radhë ka dalë me rekomandim për ngritje të pragut të bllokut në 800 kWh.
Ky “lëmsh” i vartësve të kryeministrit Kurti nxjerr në pah që vendosja e pragut nuk ka të bëjë me kurrfarë analize të kostos së sistemit, por me listë të dëshirave të ministrave dhe partisë së kryeministrit Kurti./Botapress.info/