Ndonëse ditëve të fundit ka pasur ulje të çmimit të derivateve, çmimet e produkteve bazë e produkteve të tjera nuk kanë lëvizur. Qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta.
Qytetarët kanë thënë se presin të ketë ulje të çmimeve të produktet bazike, përndryshe e kanë mjaft të vështirë jetesën në këtë mënyrë.
Qendresa Haliti, një qytetare nga Prishtina, i ka thënë Paparacit se e ka të pamundur të kryejë të gjitha obligimet financiare që i ka të detyrueshme për çdo muaj.
Ajo ndonëse ka treguar që punon, ka thënë se është detyruar para dy muajve që të merr kredi për nevojat që për të janë elementare dhe do të duhet të kryheshin përmes pagës që ka.
Haliti ka thënë se këtë vështirësi në Kosovë për jetesë e ka krijuar edhe puna e tepërt e qytetarëve dhe pagesa shumë e vogël që bëhet ndaj tyre.
“Kur nuk paguhen orët shtesë, ditët e festave, nuk paguhet sigurimi, Trusti pensional dhe disa obligime të tjera punëdhënësi kjo e bën më të vështirë këtë jetesë në këtë vend”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera ajo ka treguar se janë dy persona në familje që punojnë, mirëpo prapë se prapë nuk mund që t’ia dalin.
“As 1 mijë euro nuk paguhemi të dy, ndërkohë shpenzimet e kalojnë 1 mijë e 500 në muaj”, ka deklaruar ajo, shkruan Paparaci.
Të njëjtit mendim i qëndron edhe Qlirim Gashi nga Prishtina. Ai ka thënë se ka marrë vizën dhe me padurim e pret largimin nga këtu.
“Jo sepse në vende të tjera është më mirë se këtu, mirëpo gjen më mirë se këtu të paktën pagën dhe trajtimin si punëtor”, ka theksuar ai.
Vlen të theksohet se edhe shkalla e inflacionit në këtë kohë vazhdon të jetë e lartë.
Sipas raporteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.3% në muajin prill 2023.
Ndër të tjera, i njëjti raport tregon se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2023 me muajin prill 2022 ishte 6.3%./Botapress.info/