Pas raportimeve se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po planifikon shkarkimin e komandatit të FSK-së, Rrahman Rama, këta të dy janë shfaqur bashkë në homazhe në Prekaz.
Këtë e ka bërë të ditur vet ministria e Mbrojtjes me anë të një komunikate për media, shkruan lajmi.net.
“Në kuadër të manifestimit të shënimit të Ditës së Forcës, 27 Nëntorin, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zëvendësministrat Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, u.d. Sekretarja e Përgjithshme, Fahrije Sadiku, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, bënë homazhe pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Memorialin përkujtimor në Prekaz”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, ministri Mehaj u shpreh se duke respektuar të kaluarën tonë të lavdishme, gjakun e derdhur të familjes Jashari, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri, garantojmë të ardhme të sigurt të vendit dhe do të jetë burim frymëzimi të atdhedashurisë për brezat e ardhshëm.
Ndryshe në media ishte raportuar se ministri Mehaj kishte nisur procedurat për shkarkimin e Ramës, por që ky i fundit kishte thënë se nuk kishte pranuar ndonjë vendim zyrtar.