U paraqitën si mjekë, këta janë dy të dyshuarit që mashtruan qytetarë në Gjilan

Gazeta Sinjali sjell detaje ekskluzive nga një rast i rëndë mashtrimi dhe falsifikimi, që është zbuluar pas hetimeve disa mujore të zhvilluara nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.

Të dyshuarit janë: Gëzim Jusufi, 39-vjeçar, pronar i kompanisë “LG RITELLO” dhe Arlind Ahmeti, 25-vjeçar, agjent i shitjes

Sipas hetimeve, këta dy persona kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në Gjilan dhe Viti, duke u prezantuar si mjekë specialistë – pulmologë dhe duke i bindur se janë përzgjedhur për të përfituar pajisje të tipit Ritello R2 (fshesë elektrike), bashkë me disa “dhurata”, në kuadër të një kampanje promocionale.

Në realitet, pas nënshkrimit të kontratave dhe pagesave për avans, qytetarët nuk kanë marrë as pajisjet dhe as dhuratat e premtuara.

Deri tani janë identifikuar 13 viktima, ndërsa nëntë prej tyre kanë paguar gjithsej 3,494 euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i kontraktuar kap vlerën prej 24,607 euro.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve më 20 nëntor 2024, ndërsa më 26 maj, pas marrjes së mostrave të nënshkrimeve për krahasim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe hetimet janë në zhvillim.

Të tjera