Trump: Ishte mundësia e fundit për të goditur që Irani të mos sigurojë armën bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se sulmi ndaj Iranit ishte “mundësia e fundit e mirë” për të parandaluar pajisjen e Teheranit me armë bërthamore.

Trump po mban deklarata nga White House lidhur me ecurinë e operacionit ushtarak kundër Iranit, me rastin e ceremonisë së nderimit të tre ushtarëve me Medaljen e Nderit.

Në fjalën e tij, presidenti amerikan theksoi se operacioni do të vazhdojë derisa të eliminohet rreziku bërthamor iranian.

“Ishte shansi ynë i fundit i mirë për të goditur që ata të mos siguronin armë bërthamore”, u shpreh Trump, duke shtuar se nëse Irani do të zotëronte armë të tilla, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të ndalej.

Ai paralajmëroi se një Iran me kapacitete bërthamore do të kishte mundësi të godiste edhe objektiva në Evropë.

Sipas presidentit, operacioni ndodhet në ditën e tretë, pasi nisi herët të shtunën me bombardime në Tehran. Gjatë sulmit fillestar, sipas deklaratës së tij, humbi jetën udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, së bashku me disa familjarë dhe dhjetëra zyrtarë të lartë.

Më herët gjatë së hënës, Trump nuk kishte përjashtuar mundësinë e dërgimit edhe të trupave tokësore, nëse një gjë e tillë do të konsiderohej e nevojshme. Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa pritet zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve.

Të tjera