Më 19 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), Ekaterina Trendafilova, vendosi modifikimin e dënimeve të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe mundësoi lirimin e tyre më 21 shkurt 2025, me kushtet e përcaktuara në vendimet përkatëse.
Këto kushte do të mbeten në fuqi deri në përfundim të dënimeve të dhëna nga Trupi Gjykues, domethënë për pjesën e mbetur të dënimit me dy vjet që iu shqiptua secilit prej tyre.
Në një komunikatë për media të Dhomave të Specializuara thuhet se “për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e Trupit Gjykues që shqiptoi dënimin, sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) si dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave”.
Kryetarja konstatoi se “megjithëse veprat penale për të cilat Januzi dhe Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”.
“Procedura në lidhje me uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimit sipas nenit 51(2) të Ligjit, është procedurë më vete. Kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtën që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet”.