Një krizë e re ka përfshirë sektorin privat në Kosovë. Kompania Enternet Shpk, e cila trashëgoi shërbimet e GeKos dhe ka dominuar për mbi 15 vjet në tregun e arkave fiskale, ka vendosur të mbyll të gjitha qendrat e saj të shërbimit në Kosovë, përveç njërës – në Pejë.
Vendimi, që ka hyrë në fuqi më 20 maj 2025, vjen si reagim ndaj një udhëzimi administrativ për pajisjet fiskale, i cili lejon bizneset e reja të operojnë për një periudhë 60-ditore pa arka fiskale, duke pezulluar edhe shitjen e arkave fiskale për 60 ditë.
Ky vendim i biznesit, si rezultat i këtij Udhëzimi Administrativ, ka prodhuar një situatë absurde: mijëra biznese në gjithë Kosovën nuk kanë më ku të servisojnë arkën fiskale dhe janë të detyruara të udhëtojnë në Pejë, për shërbime bazë teknike, për ndërhyrje, mirëmbajtje ose zëvendësim të pjesëve.
Në njoftimin zyrtar të kompanisë që e ka siguruar Sinjali, thuhet se pezullimi është i përkohshëm dhe i lidhur me pakënaqësinë ndaj udhëzimit të ri, por realiteti në terren është ndryshe.
Qindra biznese në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë dhe qytete të tjera janë lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë përfaqësi funksionale të Enternet në afërsi.
Ndërkohë, zyra e vetme në Pejë përballet me fluks të madh kërkesash, ndërsa numri i stafit teknik është i pamjaftueshëm për të përballuar vëllimin e punës. Bizneset detyrohen të presin me ditë të tëra për t’u marrë në konsideratë, ndërsa humbjet financiare rriten çdo ditë.
Kostoja e transportit, koha e humbur dhe ndërprerja e operimit për një shërbim elementar po rezultojnë në dëme të drejtpërdrejta ekonomike për qindra biznese, që për vite me radhë kanë funksionuar mbi arkitekturën teknike të GeKos/Enternet.
Kjo situatë përbën jo vetëm një dështim të zinxhirit të shërbimit teknik, por edhe një torturë administrative e logjistike për sektorin privat, që po përballet me pasoja serioze në të gjitha aspektet: nga xhiroja e ulur, deri te penalitetet tatimore për shkak të mosfunksionimit të arkës.
Pavarësisht se Enternet ka qenë në treg për shuml vite dhe ka realizuar profit, vendimi për ta kufizuar gjithë operimin vetëm në një qytet është parë si kapitullim i heshtur ndaj një kornize të paqartë ligjore, që në vend se të ofrojë zgjidhje, ka prodhuar kolaps.
Deri më tani as Administrata Tatimore e Kosovës, as Ministria e Financave nuk kanë reaguar, ndonëse shqetësimet janë ngritur nga dhjetëra biznese dhe përfaqësi të komunitetit ekonomik.
Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të kërkojë përgjigje për dështimin institucional që po dëmton rëndë funksionimin normal të ekonomisë.
Të tjera
Aktuale
Trump në takim me shefin e NATO-s e përmend sërish Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të
Aktuale
Gjinovci pas kthimit të Kosovës në EQAR: U arrit fal rezistencës të profesionistëve që kundërshtuan kapjen politike
Rron Gjinovci nga ORCA, ka shkruar
Showbiz
Luana Vjollca rrëmben vëmendjen me stilin veror gjatë pushimeve
Moderatorja dhe këngëtarja e njohur, Luana