Dy javë e fundit thirrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë të vazhdueshme ndaj Kosovës për të prezantuar draft-statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke qenë se ai i fundit nga ekipi menaxhues u refuzua nga pala kosovare në takimin e 2 majit në Bruksel.
Ditë më parë, Këshillitari i Lartë i DASh, Derek Chollet dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thanë se as Kosova dhe as Serbia nuk po e zbatojnë marrëveshjen për normalizim.
Dita ditës po prishet “mashallahu”: Edhe një aktivistë e braktisë VV-në në Llap
Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.
Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.
“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.
Emisari Escobar tha se po presin nga Kosova versionin për statutin e Asociacionit, i cili sipas tij duhet të prezantohet tani.
“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”, deklaroi ai.
E mbrëmë, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Abott ka thënë se rëndësia e marrëveshjes është të sigurojë që të ketë përparim dhe progres praktik.
“Unë mendoj se për sa i përket kësaj pike në kohë, këtij konteksti, një lufte tokësore në Evropë, rëndësia e marrëveshjes është me të vërtetë të sigurojë që të ketë përparim, progres praktik. Dua të them, ju e keni parë deklaratën që kam bërë javën e kaluar, dhe pikëpamja ime, veçanërisht për Asociacionin, është se është koha që Qeveria e Kosovës të dalë me një draft të statutit e që duhet të bazohet në vizionin e kryeministrit, nëse ata dëshirojnë që të jetë kështu”, tha Abbott në “Kallxo Përnime”, ndërsa shtoi se vëmendja ndërkombëtare nuk do të vazhdojë përgjithmonë në Kosovë.
Në anën tjetër, dy senatorët amerikan, Chris Murphy dhe Gary Peters ishin dje për vizitë në Prishtinë, ku u pritën në takime, nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ata thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të pajtohen kurrë me ndonjë lëshim apo hap të ndërmarrë nga Kosova që do të rrezikonte sigurinë dhe të ardhmen e saj referuar diskutimeve rreth Asociacionit të Komunave me shumice Serbe .
Por, të dy kërkuan si prej Kosovës ashtu edhe prej Serbisë që të bëjnë hapa njëkohësisht ne zbatimin e ujdive të arritura së fundmi në Bruksel e në Ohër.
Në takimin me ta, Presidentja Osmani ua bëri të qartë se Kosova nuk do t’i ikë obligimeve të saj, dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa kreu i ekzekutivit tha se duhet zbatim tërësisht i marrëveshjes, shpejt dhe pa kushtëzime.
Por, derisa po i bëhet thirrje Kurtit për prezantimin e draft-statutit për Asociacionin, Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë ditës së djeshme tha se rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë në BE është përmes zbatimit të marrëveshjes për normalizim.
“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit”, tha Borrell.
Për Asociacionin foli sot edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se Marrëveshja nuk ka kushtëzime dhe nuk mund të ketë pikënisje në bazë të një kushtëzimi.
Konjufca tha se neni i dytë i marrëveshjes hyn në fuqi në momentin kur palët pajtohen për marrëveshjen, pra shtetet të funksionojnë si shtete sovrane me të drejta reciproke ndaj njëra tjetrës, por që siç tha ai Serbia po e sfidon këtë gjë.
“Marrëveshja nuk ka kushtëzime. Është gabim të ketë pikënisje në bazë një kushtëzimit. Sekuencimi i marrëveshjes, hapat sipas kohës që janë paraparë, janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të dytë, pra ka sekuencime për aspektet tjera. Neni i dytë hyn në fuqi në momentin kur palët pajtohen për marrëveshjen. E cili është neni i dytë, që shtet të funksionojnë si shtete sovrane me të drejta reciproke ndaj njëra tjetrës. Serbia është duke e sfiduar këtë. Pra, po i mbyll sytë dhe po bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë me këtë marrëveshje. Po të mos ishte neni 2 që të hynte menjëherë në fuqi, Kryeministri Kurti nuk do ta nënshkruante këtë marrëveshje, sepse ajo atëherë do të fillonte me Asociacionin./Botapress.info/