Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka reaguar pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Tërmkolli përmes një postimi në Facebook tha se dikush duhet t’i tregojë presidentes se nuk është kohë e bërjes së politikës në korridoret e OKB-së.
Tutje ajo tha se vizita e Osmanit do të kishte kuptim nëse do të takohej me presidentin e SHBA-së ose me sekretarin e shtetit apo me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.
Në fund, Tërmkolli ka folur edhe për ministren Gërvalla e cila po e shoqëron presidenten në vizitën e saj në SHBA.Ajo shtoi se Gërvalla mund të “lobojë” për njohje të reja për Kosovën duke ia kujtuar se edhe pas shumë muajve nuk ka emëruar ambasador në SHBA.
Postimi i plotë:
Presidentja e Kosovës në SHBA!
Dikush duhet t’i tregojë Presidentes së Kosovës, shtet i pavarur, se nuk është kohë e bërjes së politikës në korridoret e selisë së OKB-së! Në vitet 90-ta mund të kuptohej që edhe një president apo ministër apo kushdo qoftë që merrte pak erë në politikë e diplomaci të shkojë në selinë e OKB-së për të lobuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Madje kjo ishte e dobishme edhe deri në vitin 2008, kur Kosova u njoh nga shumica e vendeve të botës shtet i pavarur.
Sot, vizita e Presidentes në SHBA do të kishte kuptim po të takohej me Presidentin e SHBA-ve, z. Biden ose së paku me Sekretarin e Shtetit, z. Blinken, ose ose edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së-!
Ministrja e Jashtme e Kosovës edhe mund të “lobojë” për njohje të reja për Kosovën “në margjina” të Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, përderisa edhe pas shumë muajve, ende nuk e kanë emëruar një ambasador/e në SHBA!