Në Greqinë e lashtë, Hipokrati besonte se ethet kishin veti shëruese dhe se “zienin” sëmundjen brenda trupit. Më vonë, rreth shekullit XVIII, mjekët filluan të besonin se ethet ishin vetë sëmundje, e cila mund “ta ziente” pacientin, ndaj edhe trajtoheshin në mënyrë agresive.
Sot dihet se temperatura e lartë është pjesë e mekanizmit natyror të sistemit imunitar për t’u mbrojtur nga infeksionet. Ajo shfaqet te njeriu, por edhe te shumë specie të tjera shtazore. Kërkimet e fundit tregojnë se ngritja e temperaturës mund t’i ndihmojë trupit të largojë viruset, edhe pse mekanizmi i plotë mbetet ende i paqartë.
Mikrobiologu Sam Wilson nga Universiteti i Kembrixhit thotë se, edhe pse “ekziston një lidhje mes temperaturës dhe viruseve, në nivel molekular ende nuk kuptojmë saktësisht si ndikon nxehtësia tek ato”.
A është nxehtësia ajo që godet drejtpërdrejt virusin apo thjesht forcon imunitetin?
Ekzistojnë dy teori: njëra sugjeron se nxehtësia e dëmton vetë virusin, ashtu siç mendonte Hipokrati. Tjetra thotë se ethet nuk janë “armiku kryesor” i virusit, por një nxitës që fuqizon imunitetin ose një efekt anësor i përgjigjes mbrojtëse të trupit.
Pikërisht për këtë paqartësi, Wilson dhe ekipi i tij realizuan një studim të publikuar në revistën Science. Rezultatet treguan se, të paktën te minjtë, vetë temperatura e lartë mjafton për të frenuar disa viruse.
Si u zhvillua studimi?
Studiuesit përdorën virusin e gripit të shpendëve – specie që kanë temperaturë më të lartë trupore se njerëzit. Ata identifikuan një pjesë të gjenomit të virusit, PB1, që e ndihmon atë të mbijetojë në nxehtësi. Këtë element e futën në një virus njerëzor të gripit, duke krijuar dy versione pothuajse identike: një të zakonshëm dhe një “rezistent ndaj nxehtësisë”.
Minjtë u zgjodhën si model sepse nuk zhvillojnë ethe natyralisht kur infektohen me grip, çka u lejoi shkencëtarëve të rrisnin temperaturën e mjedisit për të simuluar ethet.
- Rezultatet ishin të qarta: në temperaturë normale, të dy grupet e minjve u sëmurën njësoj. Por në mjedis më të ngrohtë, minjtë e infektuar me virusin “e zakonshëm” u sëmurën dukshëm më pak. Ata me virusin rezistent ndaj nxehtësisë u prekën rëndë. Këto gjetje tregojnë se vetë nxehtësia luan rol të rëndësishëm në frenimin e infeksionit
Mikrobiologu Daniel Barreda nga Universiteti i Albertës vlerëson se “studimi konfirmon se temperatura është një pjesë e rëndësishme dhe efikase e mbrojtjes ndaj infeksioneve”, por shton se kjo nuk përjashton mundësinë që ethet të forcojnë edhe sistemin imunitar.
Çfarë nënkupton kjo për njerëzit?
Ekspertët kujtojnë se sistemi imunitar i njeriut dallon nga ai i minjve. Mjeku urgjentist Joe Alcock paralajmëron se temperaturat shumë të larta mund të jenë të rrezikshme për njerëzit, pasi dëmtimi i qelizave ndodh shpejt në nivele ekstreme.
Megjithatë, të gjitha provat tregojnë se ethet nuk janë rastësore – ato ekzistojnë për një arsye. Pavarësisht kësaj, në praktikë, shumica reagojnë automatikisht: sapo rritet temperatura, marrin paracetamol ose ibuprofen.
“Pyetja është: duke marrë ilaçe për të ulur temperaturën gjatë një infeksioni viral, a ia vështirësojmë trupit luftën ndaj virusit?”, thotë Alcock. Kjo mbetet një dilemë e hapur.
Kur duhet ulur temperatura dhe kur duhet lënë të bëjë punën e vet?
Ilaçet kundër temperaturës janë të domosdoshme kur ethet janë shumë të larta, te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, te pacientët me sëmundje kronike dhe te personat që nuk e përballojnë dot gjendjen.
Por shkenca po sugjeron gjithnjë e më shumë kujdes: në disa raste, trupi e di vetë më mirë si të luftojë virusin – dhe ndonjëherë i duhet vetëm pak kohë, të paktën derisa temperatura të arrijë rreth 38.5°C.



Të tjera
Lajme
Aksident mes tri veturave në Malishevë, lëndohen katër persona
Një aksident mes tri veturave ka
Aktuale
Supremja ia refuzon kërkesën për rinumërim të votave brenda partisë Qendrim Kryeziut
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar
Lajme
Gjini: Të gatshëm ta zhbllokojmë situatën politike, nëse realizohen këto pesë kërkesa
Aleanca për Ardhmërinë ë Kosovës është