Lugina e Preshevës është e përçarë. Dhe, Qeveria Kurti është pozicionuar kah njëri krah politik atje. Pak ditë pasi Shqipërim Arifi u ankua për shpërfilljen që po i bën Qeveria, Kurti e mori rivalen e tij në ekip. Ardita Sinani, kryetare e një partie në Luginë, tash është këshilltare e Kurtit.
Duket sikur për kryeministrin Albin Kurti, “unifikimi” është mision i vështirë, ose edhe i pamundur. Për diçka të tillë, ai akuzohet se nuk punon as kur bëhet fjalë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Vartësit e Kurtit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja Arbërie Nagavci, që vizituan Luginën në fillim të shtatorit, nuk e takuan kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin. Ai tha se ky anashkalim ishte i qëllimshëm.
Kryetari i Preshevës më pas shpërtheu me kritika publike ndaj Qeverisë Kurti, e cila, thotë ai, po bën përçarje në Luginën e Preshevës dhe po ndërhyn atje, duke e favorizuar një krah politik.
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, pas vizitës së vartësve të Kurtit në Luginë, tha se nga Qeveria i është vendosur “reciprocitet i inatit” ndaj Shqiprim Arifit.
“Zëvendësi i Kurtit i vendosi reciprocitet Serbisë, a reciprocitet të inatit – Medvegjës e Shqiprim Arifit”, kishte shkruar Haziri, pasi u bë e ditur se qeveritarët nuk do ta takonin specifikisht kryetarin e Preshevës.
Kryeministri Albin Kurti iu “hakmor” pak kohë pas. Ai e emëroi këshilltare të tij, ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinanin, si figura përfaqësuese e shqiptarëve të Luginës. Partia për Veprim Demokratik, që e drejton Sinani dhe krahu i Arifit janë në rivalitet, që është ashpërsuar së fundmi.
“Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga znj. Sinani”, tha Kurti ndër të tjera në njoftimin për rekrutimin e fundit.
Polarizmet në Luginë janë në atë pikë, saqë Sinani, tash e angazhuar për këtë rajon në Zyrën e Kryeministrit, nuk i numëron fare kundërshtarët e saj politikë.
Në ditën e partisë së saj, më 9 shtator, Sinani ka shkruar në Facebook: “Mbi 3 dekada veprim të partisë së parë dhe të vetmes që përfaqëson shqiptarët e Luginës së Preshevës, Partisë për Veprim Demokratik”.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka përkrahur Sinanin kur ajo u rrëzua nga posti i krytetares së Preshevës, thotë se emërimi i saj në zyrë të Kurtit është “i dëshmshëm” dhe joqëllimmirë.
“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë apartiak”, ka shkruar sot Çitaku.
Ajo thotë se Sinani do të duhej të jepte dorëheqje nga pozita e kryetares së partisë.
“Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë.
Vetë Sinani, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e Gazetës Express, nëse do të japë dorëheqje nga partia, pas marrjes së detyrës së re.
Greva në arsim: Avokati i Popullit del me njoftim të ri, ka lëvizje për të dalë nga kjo situatë
“Është e rëndësishme që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës, funksionalizimi i këtij mekanizimi qeveritar të Republikës së Kosovës fuqizon institucionalizimin e trajtimit të Luginës së Preshevës edhe si punë sistematike shtetërore”, tha Sinani.
Pas emërimit të Sinanit si këshilltare e Kurtit, Arifi tha se këtë më shumë e sheh si “budallallëk”.
“Unë nuk e shoh si luftë sepse varet prej perceptimit. E shoh si një budallaki nga Qeveria Kurti, dhe edhe njëherë po e them drejt, Albini është viktimë e Liburn Aliut”, ka thënë Arifi.
Arifi akuzon Qeverinë Kurti se po refuzon t’i ndaj 2 milionë eurot e deklaruara për Luginën e Preshevës, duke pretenduar se kjo nuk po bëhet për shkak të tij. /Botapress.info/