Ministri i Bujqësisë, Faton Peci pretendon se prokuroria nuk po vepron ndaj denoncimit të tij në raport me ndërtimet në tokë të shtetit në Stankaj të Rugovës. Ai ka thënë se janë bërë 7 muaj prej kur publikisht e ka denoncuar “uzurpimin” në tokë të shtetit dhe nga ajo kohë nuk ka bërë prokuroria asnjë reagim.
Lidhur me postimin e ministrit Peci ka folur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Shkodran Nikçi tha se lidhur me rastin kanë autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e informatave dhe se prokuroria që nga fillimi është marrë me këtë çështje.
“Po realisht ne e kemi komuniku edhe më herët, i kemi njoftu dhe mediat që pasi që është shfaq ky shqetësim nga ana e ministrit më parë, i kemi autorizu Policinë e Kosovës që mi marrë informatat e duhurat dhe varësisht nga rezultatet e informatave të trajtohet si çështje. Realisht, në këtë fazë nuk mundemi me nda informata me opinionin publik, për shkak se mund ta dëmtojë procesin hetimor.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se Prokuroria që në fillim është marrë me këtë çështje dhe ka hetuar edhe ndërtimet e tjera dhe jo vetëm ato ndërtime që janë në tokë të shtetit.
“Mirëpo, ajo çka është relevante, Prokuroria që në fillim është marrë me këtë çështje, jo vetëm për pronat në fjalë por edhe për pronat tjera të cilat korrespondojnë se janë në ndesh me ligjin. Varësisht nga rezultatet hetimore, do të dalim me qëndrim për opinionin publik.” – ka thënë ai për Express.