Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është një zyrtar komunal.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, i cili është kërcënuar nga një qytetar mëngjesin e sotëm.
Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, i dyshuari e kishte kanosur seriozisht Brahimin përmes telefonit, duke i thënë se do shkojë në zyre dhe do i çojë në Hënë.
Sipas informacioneve të para, motivi që shtyu të dyshuarin D.E (emër i njohur për redaksinë) që të kryejë këtë veprim, dyshohet të lidhet me detyrën zyrtare të Brahimit, me ç’rast bëhet fjalë për një problem me kanalizim e të cilin kërkoi që ta sanojë drejtori i Inspekcionit.
Njësitë policore janë vënë në kërkim të të dyshuarit, meqë i njëjti nuk është arritur ende që të arrestohet, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Kanosje’.
Ndërkohë lidhur me rastin ka reaguar edhe vetë Valon Brahimi, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo është hera e dytë që merr kërcënime nga individë të ndryshëm.
“Sot në orët e paraditës nga një sipërmarrës nga sfera e ndërtimit përmes telefonit kam marrë kërcënime. Është hera e dytë që prej se jam emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit që pranoj kërcënime nga individ të papërgjegjshëm që mendojnë që janë mbi ligjin dhe të cilët besojnë verbërisht dhe mendojnë që përmes kanosjeve dhe kërcënimeve të ndryshme mund diktojnë punë dhe vizionin tim për rend dhe ligj në qytetin e Mitrovicës”, ka shkruar ai.