Albert Prenkaj është përjashtuar nga shërbimi i jashtëm i Kosovës. Një vendim të tillë e mori Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, duke e larguar ish-drejtorin e përgjithshëm nga stafi i saj. Siç raporton Koha, Prenkaj u largua për shkak të refuzimit “për t’iu bindur autoritetit të MPJD-së, takimet e zhvilluara me zyrtarë të ambasadës amerikane në Prishtinë dhe deklaratat publike kundër MPJD-së”.
“Takimet e “paautorizuara” me amerikanët e mosbindja ndaj urdhrave të zëvendëssekretarit – janë ndër arsyet për të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mori vendim për përjashtimin e ish-drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj.” – shkruan Koha, teksa raportohet se një vendim i tillë erdhi përkundër vendimit të Gjykatës Themelore.
Në shkrimin e këtij mediumi, është raportuar edhe një shkresë që Prenkaj e ka deponuar te komisioni që e përjashtoi atë nga shërbimi civil. Aty, Prenkaj e përmend edhe dy takimet me përfaqësuesin e Ambasadës së ShBA-së, Ralan Hill, të cilat i realizoi më 7 mars të 2023, dhe një tjetër në shtator të 2022.
“Nëse aludohet në takimet me përfaqësues të Ambasadës së SHBA në Prishtinë, më 07 mars 2023 ai i është raportuar zv. ministres Gashi, përgjegjëse për Departamentin për Amerika, në cc Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, këshilltarit të Lartë të Kabinetit të Ministres, z. Rexhep Gjergji, zyrtarët e Lartë të Departamentit për Amerika, Ministre Këshilltare znj. Arrita Gjakova dhe Ministër Këshilltar, z. Valon Krasniqi. Procesverbali është përcjellë më 10.03.2023, tek adresat e lartpërmendura. Një takim i ngjashëm është zhvilluar me z. Ralan L Hill, këshilltar për Politikat Ekonomike dhe znj. Marissa J Polneroë, Political Military Officer në shtator të vitit 2022, për të cilin takim po ashtu i është raportuar kabinetit të ministres, Zyrës së Sekretarit dhe kolegëve të departamentit. Për të njëjtin aktivitete i është dërguar informacion Ambasadës së Kosovës në SHBA.” – shkruhet në shkresë.
Në lidhje me këtë çështje, MPJD-ja nuk ka dashur të komentoj gjerësisht, duke vlerësuar se secili takim që zhvillohet, duhet të bëhet me aprovim paraprak.
“Por, në përgjithësi mund të konstatojmë se çdo takim/aktivitetet që zhvillohen nga zyrtarët e MPJD-së, jashtë MPJD-së, dhe me institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, duhet ta ketë paraprakisht aprovimin e udhëheqësit të drejtpërdrejtë ose të sekretarit të Përgjithshëm.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Kohën.
Ndryshe, që nga java e kaluar, Qeveria Kurti ka pasur marrëdhënie të trazuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për Nacionalen, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ishte treguar i ashpër me Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se “shtëpia është në flakë”.
“Mendojmë se kjo është çështje shumë urgjente. Krahasimi që kam marrë është ai me një shtëpi që po digjet. Prandaj, mendoj që duhet të hiqet së pari zjarri. Ne presim që Qeveria të ndërmarrë veprime tash… Besojmë që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat e komunave. Qeveria duhet të gjejë vende alternative pune për ta. Nuk e dimë pse nuk po i përdor të njëjtat vende alternative ku janë betuar.” – vlerësoi Hovenier.
Në këtë intervistë, Hovenier vlerësoi se “do të ishte i çuditur nëse do të kishin ndonjë takim me zyrtarët amerikanë”.