Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, në Ditën e Pavarësisë ka qëndruar në Hagë, ku ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.
“Në seancën e sotshme solemne për përvjetorin e pavarësisë, në atë sallë ku para 15 vitesh u përmbush një aspiratë shekullore, arrita direkt nga Haga, aty ku sot qëndron i fortë, protagonisti i deklaratës së pavarësisë dhe epokës së ndritur të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi”, ka shkruar Tahiri.
“Ndonëse shënimi i 17 shkurtit, as nuk është i njëjtë, e as nuk është i plotë pa prezencën e tyre, Presidentin Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli, i gjeta shpirtërisht të përmbushur, që rruga dhe sakrifica e tyre për liri e pavarësi, sot është realitet i Kosovës tonë të lirë e të pavarur. Përgjithmonë mirënjohës për këta burra, që ia kanë dhënë Kosovës vitet më të mira të jetës dhe që për nderin e të vërtetën e rrugëtimit të saj drejt lirisë, po e vazhdojnë përpjekjen edhe sot”, ka shkruar tutje ai.