Naser Pajazitaj , i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, është liruar nga akuzat për vrasje më gjashtë prill nga Gjykata Supreme.
Kjo gjykatë në një komunikatë dërguar mediave ka bërë publik arsyetimin e këtij vendimi ku thuhet se më gjashtë prill në çështjen penale kundër të dënuarit N.P., e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të tij, i ka ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit dhe të dënuarin e ka liruar nga akuza për veprën penale “vrasja e rëndë”.
Ngjarja që i bëri bashkë Vjosa Osmanin, Memli Krasniqin dhe djalin e Hashim Thaçit
Ndërsa sa iu përket dy veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, dënimet e shqiptuara në kohëzgjatje prej një viti dhe në kohëzgjatje prej pesë muaj, janë marrë si të vërtetuara dhe dënimi unik është caktuar burgimi në kohëzgjatje prej një viti e tre muaj dënim të cilin N.P., e ka kaluar në burg.
“Gjykata Supreme e Kosovës në tërësi pajtohet me konkludimet e nxjerra nga dy instancat gjyqësore, se në rastin konkret, sipas asaj që ceket në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat objektive të rastit dhe atë se: e ndjera D. P., me datë 09.11.2015 kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën datë edhe është zhdukur. Kufoma e saj ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “Kroi i Lajthisë”, se e njëjta ishte privuar nga jeta duke u qëlluar dy herë në pjesën e kokës, me një revole të tipit të panjohur.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kontestuese janë rrethanat subjektive, përkatësisht fakti se a është kryerësi i veprës penale i pandehuri, dhe është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër.
Në këtë çështje juridiko penale, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes. Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur”, thuhet në njoftim.