Ekip prokurorësh po merren me hetimet për hajninë me rezerva shtetërore. Deri më tash dihej se prokurori që po e hetonte këtë aferë ishte Valdet Gashi. Këtë të fundit Ministria e Tregtisë çuditërisht e përmendi me emër në një komunikatë ku njoftonin për aksionin e Policisë.
E mbrëmë vonë u konfirmua se në mesin e prokurorëve që po hetonte këtë aferë është edhe prokurori tjetër special, Milot Krasniqi.
Rastësisht apo me qëllim duke pasur informacione ishte ministri i Financave, Hekuran Murati, që iu sul prokurorit Krasniqi. Kjo duke e ndërlidhur me ish-pushtetin, pasi sipas ministrit ekonomist, prokurori nuk e ka hetuar një aferë të ish-ministrit të MINT, Vesel Krasniqi.
“Kujtojeni se si po kjo kastë që krijonte monopole zhvatëse, kur ne e bëmë Ligjin për Çmimet Tavan për të bërë çmimin e bukës më të përballueshëm, e çuan ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Sidoqoftë, me të marrë mandatin Qeveria Kurti, me datë 3 maj 2021, Ministria që drejton Rozeta Hajdari kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale. A e dini se çka ka bërë Prokuroria Speciale që nga ajo ditë e deri më sot, për më shumë se dy vite? Asgjë. Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi”, ka shkruar ministri Murati.
Nga ministër i Financave, Murati e luajti pak edhe juristin duke u marrë me afatet e hetimeve dhe mënyrën e hetimit nga prokuroria.
Pak orë më vonë, grupi Koha raportoi se Milot Krasniqi është pjesë e prokurorëve që po e heton skandalin me vjedhjen e grurit, vajit e sheqerit. Rastësi komenti i Hekuran Muratit?
Pas këtyre deklaratave dhe sulmeve brutale nga pushteti ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, ka reaguar ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit. KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë. Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë”, thuhet në reagim.
Ashpër reaguan edhe nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, të cilët theksuan se përveç që ministri Murati po shpif, ai po i rrezikon edhe hetimet me të cilat po merret Prokuroria.