Me datën 03 korrik, 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu dhe zëvendësin e tij, Hysen Durmishi kanë marrë pjesë, në inaugurimin e rrugës, Prishtinë-Besi-Podujevë, mirëpo çfarë e bënë problematik dhe skandaloz këtë projekt është nënshkrimi i kontrata kundërligjshëm, pasi që kishte ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) rreth këtij tenderi, e që nuk është marrë fare parasysh nga ministria e Infrastrukturës.
Në skandalin e radhës nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është përfshirë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, projekt ky i nënshkruar kundërligjshëm nga vartësit e Kurtit në Ministrinë e Infrastrukturës, në krye të së cilës janë Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi.
Miliona euro më shumë dhe rreziku nga Arbitrazhi- prapaskenat e projektit të madh të “Ibër Lepencit”
Ministria e Infrastrukturës, konkretisht zëvendësministri, Hysen Durmishi ditë më parë ka nënshkruar tenderë me vlerë mbi 37 milionë euro për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, mirëpo duke shpërfillur procedurat sipas Ligjit për Prokurim Publik, pasi që edhe pse kishte ankesë aktive në OSHP, Durmishi ka shkelur procedurat që i parasheh ky ligj.
Pra, sipas Ligjit për Prokurim Publik në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.
Siç mund ta shihni më poshtë, ankesa është aktive në OSHP lidhur me këtë tender, e cila është bërë me 15 qershor 2023, dhe pa u shqyrtuar fare kjo ankesë, është nënshkruar tenderi nga ministria e Infrastrukturës, konkretisht nga Hysen Durmishi.
Pra, Ministria e Infrastrukturës, në këtë rast zëvendësministri Hysen Durmishi ka nënshkruar tender me vlerë mbi 37 milionë euro duke e shkelur Ligjin për Prokurim Publik.
Siç mund ta shihni më poshtë, kontrata është nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës me 20 qershor 2023, edhe pse në OSHP ekzistonte ankesa aktive e cila ishte deponuar me 15 qershor dhe të cilës nuk i është bërë ende ekspertiza.
Duhet theksuar se OSHP është organi që i shqyrton ankesat që bëhen nga kompani të ndryshme që aplikojnë në tenderët e institucioneve publike, OSHP njihet edhe si gjykata e tenderëve.
Por ajo që e bën edhe më dyshues këtë tender dhe mënyrën se si është nënshkruar duke shpërfillur tërësisht Ligjin për Prokurimin Publik, është edhe fakti se njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e të cilit zëvendësministri Durmishi e ka pranuar se e ka shok.
Ndryshe, gazeta i ka shkruar zyrës së kryeministrit për ta pyetur nëse kryeministri Kurti ka qenë në dijeni se projekti ku po merrte pjesë ka pasur shkelje ligjore, por të njëjtit nuk janë përgjigjur./Botapress.info/