Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot konfirmoi se janë larguar edhe dy eprorë të lartë të Policisë së Kosovës, pas rastit të dhunimit të një vajze të mitur nga pesë persona.
“Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje”, ka shkruar Kurti, duke i pyetur gjyqtarët dhe prokurorët ku është morali i tyre.
Demokracia.com ishte mediumi i parë që menjëherë pas publikimit në media të rastit të 11-vjeçares raportoi se ajo edhe më parë ka qenë viktimë e trafikimit dhe se Policia kishte dështuar ta mbronte vajzën e mitur.
Por, e vërteta është që Qeveria Kurti i ka avancuar pikërisht dy zyrtarët kryesorë që dështuan ta mbrojnë viktimën.
Kurti u lavdërua me shkarkimin e dy zyrtarëve të Policisë, pa e ditur që në vend të tyre janë emëruar pikërisht personat që kishin më së shumti përgjegjësi në rastin e vajzës 11-vjeçare.
Në vend të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Fahredin Verbovci, tani është emëruar nënkolonel Fehmi Gjata, që në kohën kur ka ndodhur trafikimi i vajzës e ka drejtuar pikërisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, sipas burimeve të Demokracia.com, ka qenë duke u marrë me rastin e trafikimit dhe keqpërdorimit seksual që i ishte bërë të miturës që nga muaji qershor, porse nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e saj.
Ndërsa, në vend të Drejtorit të Operativës në Prishtinë, Shkëlzen Xhafa, me urdhër të Xhelal Sveçlës tani është emëruar major Bekim Bislimi, i cili e ka drejtuar Stacionin e Veriut, ku dy herë radhazi ishte denoncuar rasti i të miturës.
Kryeministri Kurti duket se nuk është i informuar drejtë se ku ishin defektet përbrenda policisë lidhur me këtë rast, pasi që tani janë avancuar edhe zyrtarisht dy zyrtarët policorë me përgjegjësinë më të madhe për rastin e së miturës 11-vjeçare. /Botapress.info//