Me 2 qershor Stefan Nedeljkoviç-it po i përmendej emri nga Kryeministri i Kosovës në seancën parlamentare si njëri nga organizatorët e trazirave në Veri, pjesë e grupit kriminal “Severna brigada”, e lidhur me grupin rus Wagner.
13 ditë më vonë, me 11 qershor, emri i të njëjtit dërgohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Ministrinë e Financave për ekzekutim të pagës nga Thesari.
LVV-ja pranë krisjes së madhe, dy deputetë ia ‘rrëzojnë’ vendimin Kurtit
Ai paguhet 700 euro meqë është i punësuar si inspektor në këtë ministri.
Me 29 qershor Nedeljkoviç do të shpallej terrorist me vendim qeveritar, me 30 qershor në konton e tij do dilte rroga e plotë si i punësuar i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kurtit do të shënonte kështu rastin e parë dhe të vetëm aktualisht në botë kur pasi e ndjek për kriminel një person dhe merr vendim që ta shpallë terrorist, më pas e paguan nga buxheti i shtetit.
Jo vetëm Nedeljkoviç. Kështu ndodhi me dhjetëra anëtarë të tjerë të organizatave terroriste “ Civilna zastita” dhe “Severna brigada”, të njohura edhe si “Mbrojtja Civile” dhe “Brikada e Veriut”.
Ata paguhen nga vitit 2016 me Marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin e tyre në institucione të ndryshme të shtetit, por tani është hera e parë që paguhen përkundër se në kërkim nga shteti dhe të shpallur terroristë për rrezikim “të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, rendit kushtetues, stabilitetit” si dhe rrezikim të “interesave shtetërore”.
Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të përgjigjet për Albanian Post përse po paguan terroristët, duke kryer kështu krim të rëndë sipas Kodit Penal të Kosovës, meqë bazuar në nenin 57 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizimit”, financimi i terrorizmit “është i dënueshëm me burgim nga pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet, dhe me gjobë deri pesëqind mijë (500.000) euro”.
Albanian Post ka siguruar listën e serbëve të punësuar në ministrinë e Rozeta Hajdarit dhe pjesë e listës është pikërisht terroristi Nedeljkoviç.
Çuditërisht qeveria bashkë me vendimin për t’i shpallur terrorist nuk mori vendim që t’i largojë edhe nga lista e pagave.
Në një listë pagash që ka siguruar Albanian Post, për punonjësit e MINT-it, e cila tregon shifrat e pagave për serbët e angazhuar nga “Mbrojtja Civile” në ministri, shihet edhe emri i Stefan Nedeljkoviç në mesin e emrave të tjerë të serbëve të angazhuar nga strukturat e organizatave që tashmë janë terroriste.
Siç i ka treguar Albanian Post-it një zyrtare e burimeve njerëzore në njërën nga ministritë, largimi nga lista i kujtdo mund të bëhet në secilën datë të muajit, por një kërkesë për largimin e Nedeljkoviç-it edhe të tjerëve nuk shkoi asnjëherë.
Përveç Nedeljkoviç-it, janë afër 500 persona të tjerë që marrin rroga nga Qeveria e Kosovës të cilët u rekrutuan nga “Mbrojtja Civile”.
Në një konsultim me avokatin Arianit Koci që zotëron një nga shtëpitë e avokatisë më të mëdha në Kosovë, ai konfirmon se “për këdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ofron, kërkon, mbledh ose fsheh, organizon, përgatitë apo vë në dispozicion fonde apo mjete materiale, për të kryer apo kontribuar në kryerjen e veprës penale të terrorizmit parashihet prej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim”.
Koci shton se “për më tepër – që kjo vepër të përbëjë vepër penale – nuk është e nevojshme që veprimi terrorist të ndodh”, por “natyrisht, rastet dallojnë dhe secili i ka specifikat e veta”./Botapress.info/