Raportimet e Planet TV për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishajt në skandalin e madh financiar, ishin dërguar në Gjykatë për shpifje nga Berishaj.
Pas vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë e Gjykatës në Slloveni ia ka refuzuar ankesën ambasadorit të Kosovës në Kroaci.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, i cili e ka publikuar edhe vendimin.
“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoi se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.
Martin Berishaj kishte pretenduar se raportimet për përfshirjen e tij në këtë skandal ishin shpifje. Megjithatë, është hera e dytë që gjykata ia refuzon ankesën ambasadorit Berishaj.
Ndaj Martin Berishajt në anën tjetër, ka dy kallëzime penale në Kosovë. Njëri është për deklarimin e rrejshëm të pasurisë, e tjetri për pastrim parash.
Skandali i Martin Berishaj
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni kishte shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.
Sqarimi i Berishajt
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe një herë kishte mohuar akuzat e drejtuara ndaj tij, duke pretenduar se të gjitha janë spekulime me prapavijë politike.
Në prag të ceremonisë hapëse të Forumit Ekonomik Kosovë – Kroaci të enjten në Prishtinë, Berishaj para mediave ka deklaruar se i hedh poshtë të gjitha, siç i quan ai, spekulime që kanë qëllim ta denigrojnë personalitetin e tij dhe imazhin e Kosovës.
“Jam shumë i gëzuar dhe i respektuar që e prezantojë Qeverinë e Kosovës si ambasador, shtetin e Kosovës në shtetin e Kroacisë. Këto çështje që po pyesni dhe këto spekulime mediale, janë spekulime që kanë një prapavijë politike. Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetet të cilat bëhen, siç është ky Forum që bëhet sot. Dua të them që këto spekulime që janë bërë, i hedhi poshtë. Ato kanë vetëm një qëllim, të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës dhe të bëhen çështje për t’i futur në marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Kroacinë apo Slloveninë. E fusin njerëzit të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër, në emër të tjerët kujt. Këta shpifësa do të dalin para gjyqit”, ka thënë Berishaj.
As Prokuroria e Sllovenisë nuk i kishte mohuar hetimet ndaj Berishajt për këtë skandal financiar.