Ndeshja e javës së 15-të në Ligën e tretë – Veri midis Aerodromit dhe Bashkimit nga Kumanova, nuk ka pritur fundin e saj, raporton mediumi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, “infOSport.mk”, përcjell Botapress.info
E njëjta është ndërprerë 20 minuta para fundit të saj, pranë rezultatit 2:1 për vendasit, kjo pasi tifozët e Aerodromit kishin nisur të gjuajnë me gjësende të forta në drejtim të futbollistëve shqiptarë të Bashkimit.
“Deri në minutën e 69-të, ndeshja rrodhi në frymë sportive dhe pa asnjë vërejtje. Pikërisht, në këtë minutë, nga rruga, përmes pjesës administrative të stadiumit në pjesën e tribunave, u futen 40 huliganë me maska, bejsboll shkopinj, thika, zinxhirë, gurë e mjete tjera metalike, ku sulmuan në mënyre shtazarake shikuesit/tifozët shqiptarë dhe të tjerët që ishin në tribunën e stadiumit. Ekipi nikoqir, nuk kishte arritur të sigurojë asnjë kusht për sigurinë e shikuesve (as kujdestar rendi, as polici, as persona të sigurimit fizik) dhe duke shfrytëzuar këto lëshime skandaloze, huliganët e kishin fare të lehtë të depërtojnë dhe të realizojnë sulmin e tyre”, thuhet në komunikatën e Bashkimit nga Kumanova.
Ekipi theksoi se ka të lënduar dhe dëme materiale./Botapress.info/