Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku për disa javë situata atje ishte e tensionuar pasi serbët kundërshtuan vendimet e Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës ka kërkuar që situata të tilla krizash, të mos përsëriten më dhe sipas tij, është shpenzuar shumë energji për të shmangur përshkallëzimin.
Ai thotë se në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, diskutimet për për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që thotë ai do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë.
“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellët. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri”, ka thënë ai.
Këshilltari i DASH-it po ashtu ka folur për prishmëritë gjatë vizitës që do të bëjë së shpejti në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.
Chollet ka thënë se vizita e tij përkon me një moment shumë të rëndësishëm, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë javëve të fundit ka patur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që në 48 orët e fundit kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, thotë ai.