Si të çlironi radiatorët nga ajri për një ngrohje më efikase në shtëpi?

Kur fillon moti i ftohtë, mbajtja e shtëpisë ngrohtë bëhet përparësi. Edhe ndryshimet më të vogla mund të bëjnë diferencë, prandaj ia vlen të sigurohesh që sistemi yt i ngrohjes po punon siç duhet – duke filluar nga radiatorët.

Sipas inxhinierit të kompanisë Boxt, Will Scholfield, nëse radiatorët nuk po ngrohin mirë ose duken sikur punojnë me “pengesa”, atëherë duhet t’i çlirosh nga ajri i bllokuar (proces që quhet “bleeding”).

Në thelb, kjo do të thotë të lejosh ajrin e mbetur brenda radiatorëve të dalë jashtë. Nëse ajri ngelet brenda, ngrohja nuk shpërndahet siç duhet dhe radiatorët bëhen më pak efikasë. Nëse kjo nuk bëhet për një kohë të gjatë, ajri i bllokuar mund të shkaktojë edhe gërryerje (korrozion) në sistemin e ngrohjes qendrore.

Scholfield shpjegon: “Nëse i çliron radiatorët nga ajri rreth dy herë në vit, sistemi i ngrohjes do të punojë më me efikasitet dhe do të ndihmosh në uljen e faturave të energjisë.”

Çfarë të duhet për të çliruar radiatorët nga ajri:
Zakonisht, mjetet i ke në shtëpi:

Një çelës për radiatorin ose një kaçavidë, në varësi të llojit të valvulës.

Një leckë ose një enë e vogël për të mbledhur ujin që mund të rrjedhë.

Si ta bësh:

Fike ngrohjen dhe lëre sistemin të ftohet plotësisht;

Vendos një peshqir ose leckë poshtë radiatorit për të mbrojtur dyshemenë;

Gjej valvulën e ajrit – zakonisht ndodhet në krye të radiatorit, në njërën anë. Ajo është e rrumbullakët dhe ka një vrimë për çelësin ose një prerje për kaçavidë;

Fut çelësin në valvul dhe ktheje ngadalë në drejtim të kundërt të akrepave të orës derisa të dalë ajri;

Kur fillon të dalë ujë, ktheje përsëri në drejtim të akrepave të orës për ta mbyllur valvulën;

Përsërite këtë proces për të gjithë radiatorët në shtëpi;

Në fund, kontrollo presionin e ujit në bojlerin e ngrohjes – ai duhet të jetë midis 1 dhe 2 bar. Nëse nuk është, rregulloje sipas nevojës.

Të tjera