Kaloi thuajse në heshtje një deklaratë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë gjatë vizitës së tij në Estoni për median “Delfi” ku u mëshoi mbarë aleatëve perëndimore se, në fakt, Kosovën ata vetëm në emër e trajtojnë të barabartë me Serbinë, por “jo edhe në thelb”. Kjo, krejt në kundërthënie edhe me vetë atë çfarë profesonte kaherë Kurti, prej asobote opozitar e deri tash pas afro 3 vite në pushtet – se para tij “Kosova ishte objekt në tryezë, e jo subjekt” ndërsa tash, me ardhjen e tij, “Kosova është subjekt…dhe palë e barabartë”. Por, krejt këtij rrëfimi të tij të ndërtuar me investim kolosal qe më shumë se tri vite – Kurti do t’i mëshonte shkelm kur tha se “Perëndimi nominalisht na trajton të barabartë me Serbinë, por jo edhe në thelb”.
Për gazetarin dhe opionistin Lirim Mehmetaj, një deklaratë e tillë e bërë nga Kurti, “përveç se është një deklaratë e dobët në kaq shumë nivele dhe për nga formulimi i ngjan ndonjë komenti të ndonjë militanti të Facebook-ut, është edhe e padobishme si deklaratë dhe e nxjerr atë mashtruese tipik”. Pse? Mehmetaj vëren në rend të parë se po të njëjtën deklaratë edhe Vuçiq e bëri sot në Shkup kur tha se Bashkimi Evropian gjithmonë mbështet Kosovën: “Pra, këta kanë nivel të njëjtë; populistë mashtrues dhe të padobishëm për ofrimin e opsioneve konkret për zgjidhje”.
Gazetari i kthehet në retrospektivë krejt asaj që dikur Kurti me kollajllëkun më të madh ia përshkruante përgjigjen kur jemi te relacionet Kosovë-Serbi në raport ndërkombëtarët. Mehmetaj këtu zbulon kundërthëniet mes të kaluarës dhe të tashmes së deklarimeve të Kurtit.
“E dyta, ju kujtohet kur Albin Kurti thoshte se në raport me ndërkombëtarët krejt çfarë i duhet Kosovës është një politikan që di mirë ta prezantojë dhe ta mbrojë qëndrimin e Kosovës. Ai thoshte se ndërkombëtarët janë neutralë dhe se ata krejt çfarë bëjnë është prezantojnë qëndrimet e Beogradit në Prisshtinë dhe qëndrimet e Prishtinës në Beograd. Tash si na u bë që perëndimorët s’qenkan neutralë? Si u bë që tash faji nuk qenka te politika në Kosovë, por tek burokratët e Brukselit?”, tha Mehmteaj për Nacionalen.
“E treta, ai thoshte se ndërkombëtarët i bëjnë presion vetëm atij politikani që kanë me çfarë ta shantazhojnë, rrjedhimisht këtij nuk do t’i bëjnë, sepse na qenka i pastër. Tash, çfarë ndodhi? Përse po na thuhet se presion ka Kosova? A është ky i korruptuar, prandaj edhe i shantazhueshëm, apo s’paska qenë kurrë ashtu siç thoshte atëherë kur ishte në opozitë?”, vazhdon ai.
Për sociollogun Shkodran Ramadani, “vajtimi” i tillë për trajtim të pabarabartë, u sabotua edhe ashtu në rend të parë nga vetë zëvenëdisi i Kurtit, Besnik Bislimi, i cili ditë më parë në një intervistë për median serbe “Danas” tha se Kosova hoqi dorë nga përfshirja e njohjes në Marrëveshjen Bazë të arritur në shkurt dhe mars. Për më tepër tha se “ishte lëshim i madh nga ana e Kosovës“. Këtu ai e sheh edhe krejt këtë “thelbin” për çka foli Kurti.
“E para, nëse Kurti thotë që ‘në thelb na trajtojnë si të barabartë’, atëherë duhet ta pranojë që Marrëveshja e Ohrit është e padrejtë ndaj Kosovës. Sepse çdo thelb që nuk përfshin marrëveshjen – dmth boshtin e situatës – atëherë në fakt nuk është thelb, por diçka më e parëndësishme. Mirëpo, në këtë propagandë Kurti është sabotuar nga zëvendësi i tij, i cili tha që: ‘Kemi heqë dorë nga njohja formale,’ gjë që e bën marrëveshjen të padrejtë ndaj Kosovës”, tha Ramadani për Nacionalen.
“Pra, problemi nuk është që ne thjesht po trajtohemi si të barabartë, por fakti që Qeveria e Kosovës ka pranuar me vullnetin e vet një marrëveshje ku Kosova pranon marrëveshje të dëmshme për të. Këtë e pranoi edhe vetë këshilltari i Kurtit, Marc Weller në një rrëfim të gjatë”.
Ramadani shprehte se “Kurti po manipulon kur thotë që ‘po kërkojmë zbatim të marrëveshjes, por Seria po e pengon atë”, ku vëren se në vetë Marrëveshjen e Ohrit dhe në Shtojcën e saj të Zbatimit thuhet se “Kosova menjëherë nis procesin e themelimit të Asociacionit”.
“BE-ja e ka përsëritur disa herë që ‘zbatimi i marrëveshjes nisë me themelimin e Asociacionit’. Ndërkohë, që tash Kurti po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e mori vetë”, na tha Ramadani.
Gazetari Mehmetaj vlerëson se me atë çfarë kemi të bëjmë këtu është me “politikan të paaftë, ose më mirë thënë, një njeri i paaftë, që mungesën e punës tenton ta zëvendësojë me llafe ordinere”.
“Edhe ai e di sa janë deklarime të kota, sa i përket kontributit për zgjidhje, por synimet e tij janë dy: E para, ky ka fituar përshtypjen që nëse shfaqet jo konstruktiv, njëjtë si Vucic-i, Perëndimi do ta ledhatojë për ta zbutur dhe kështu do t’i mundësojë kompromise (lexim fatal ky, sepse historia ka parë që fituesi është gjithmonë pala konstruktive, kujtojmë këtu Rambujenë, Procesin e Vjenës, shpalljen e koordinuar të njëanshme të pavarësisë etj) dhe e dyta, ai i dërgon mesazh votuesit të tij të cilin e konsideron analfabetë funksionalë”, na tha Mehmetaj.
“Shpresa këtu është që të shtyhet kështu sa më gjatë, dhe të futemi në ciklin e ri zgjedhor pa pranuar iu dashur të fillojë zbatimin e Asociacionit. Shpreson që ta lërë Asociacionin për mandatin e dytë dhe fushatën e zgjedhjeve të ardhshme ta përdorë kartën e ‘rezistuesit të palodhur’”, përfundoi Mehmetaj.
Ramadani në deklaraën e Kurtit vëren edhe një “mashtrim tjetër kardinal të Kurtit”, me të cilën, sipas tij, ky i fundit është ngjitur në pushtet.
“Sa ishte në opozitë, e thoshte vetëm një gjë: ‘Që faji për padrejtësitë ndaj Kosovës duhet qëndron mbi supet e politikanëve vendorë e jo në Bruksel e Washington. Sapo të vimë ne në pushtet, kjo punë zgjidhet. Mjafton të na jepni 51% dhe ne e bindim BE-në e ShBA-në që Kosova të merr njohjen formale, pa e bërë Zajednicën.’ Megjithatë, sot jemi në një pikë ku Kosova ka bërë saktësisht të kundërtë: ka pranuar Zajednicën, pa njohje nga Serbia”, na tha ai.
Krejt në fund Ramadani konstaton se “Tash dalin e vajtojnë nëpër paraqitje ndërkombëtare dhe japin këshilla që nuk i merr seriozisht askush, përveç asistentëvë të tij personalë”.