Dhimbjet për familjarët që nuk i takojnë më, nuk ua zbutën gati 24 vjetët që kaluan nga fundi i luftës në Kosovë.
Familjarë të të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99, të mbledhur në një tryezë diskutimesh në Prishtinë, rrëfyen për kujtimet e tyre me të zhdukurit, që thanë se i kanë ende të freskëta në mendje.
Sipas të dhënave zyrtare, janë ende mbi 1.600 persona të pagjetur nga lufta e fundit.
Aid Qerkini
![Aid Qerkini, xhaxhai i të cilit është i zhdukur që nga lufta në Kosovë.](https://gdb.rferl.org/01000000-c0a8-0242-88f3-08db47eedbf1_w1023_r0_s.jpg)
Përballë vetes dhe 16 topave të bilardos, Aid Qerkini do të donte ta kishte xhaxhain e tij sa herë e luan këtë lojë.
Ky 24-vjeçar ka dëgjuar nga shokët e xhaxhait se edhe ai e ka pasur pasion bilardon.
“Ma merr mendja se do ta kisha pasur një rival shumë të denjë. Nuk mund të luaj me askënd prej familjes se e kam ruajtur atë vend për të”, thotë Aidi.
I llastuar në shtëpinë e tij, për shkak të ngjashmërive në pamje me Reshatin e zhdukur, Aidit i pëlqen të mësojë sa më shumë për familjarin që nuk arriti ta njihte personalisht.
“Kohët e fundit kam filluar t’i gjej disa shokë të tij që tregojnë për personalitetin e tij”, thotë ai për REL.
Aidi kujton se kur kishte filluar të punonte në një gjykatë në Mitrovicë, një koleg e kishte thirrur me emrin e xhaxhait të tij, i befasuar nga ngjashmëritë fizike mes të dyve.
Ai thotë se e gjitha familja e çmon një letër që Reshati ua ka lënë para se të largohej nga shtëpia dhe t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur kam lindur unë, më 8 qershor [1998], ato ditë ai, pastaj, është zhdukur. Ka thënë tashmë e kemi një pasardhës dhe ka dalë në rrugë me pjesëtaret e UÇK-së, ende pa i mbushur 30 vjet”, rrëfen Aidi.
Angjella Bukimiriq
![Angjella Bukimiriq, e cila ka gjashtë familjarë të zhdukur që nga lufta në Kosovë.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-06f0-08db47eedbd4_w1023_r0_s.jpg)
Angjella Bukimiriq nga Peja nuk do ta harrojë asnjëherë vajzën e pikturuar në mbështjellësen e një çokollate.
“Ishte e preferuara ime, ka të bëjë me kujtimet që i kam. Xhaxhai im gjithmonë m’i blinte ato çokollata. Ai ishte një person i mrekullueshëm”, rrëfen Angjella, e cila aktualisht punon si infermiere në një spital të Beogradit.
Xhaxhai i saj është zhdukur që nga viti 1999. Për herë të fundit, ajo e ka parë atë 24 vjet më parë, kur ai ka qenë rreth 40 vjeç.
Në atë kohë, Angjella është përshëndetur me të, pasi ajo është shpërngulur në Mal të Zi, shkaku i luftës në Kosovë.
“I kam të zhdukur gjashtë persona të familjes, dy xhaxhallarë, hallën dhe kushërinj të tjerë. Nuk i kemi gjetur kurrë”, thotë Angjella.
Përveç xhaxhait – për të cilin thotë se ia ka dhënë ushtrimet e para në not, Angjella ndien dhimbje të madhe edhe për hallën e saj, e cila ka qenë shtatzënë kur është zhdukur.
“Halla ime ishte gruaja më fenomenale në këtë botë, sepse ishte përplot dashuri. E dini sesi janë disa persona që nuk kanë nevojë të të thonë shumë fjalë, por, thjesht, ua ndjeni dashurinë dhe energjinë? Ishim shumë, shumë të afërta”, thotë Angjella.
Sevdije Begu
![Sevdije Begu, familjare e Jashar Begut, i cili është i zhdukur që nga lufta në Kosovë.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-ef7d-08db47eedbec_w1023_r0_s.jpg)
Kur ishte ende fëmijë dhe sapo kishte nisur shkollimin, Jashar Begu u shpërngul nga fshati Vllahi te shtëpia e xhaxhait të tij në Mitrovicë.
Ditën e parë të Jasharit në shtëpinë e saj, Sevdija e kujton si momentin më të ëmbël me djalin e xhaxhait – tani të zhdukur.
“Kur ka ardhur nga fshati në Mitrovicë, ai e kishte ndjerë një kënaqësi. Na pati thënë ‘oh, sa qenka mirë këtu’. Ne e patëm këqyrur çuditshëm, me mendimin ‘pse po thotë ky kështu’ se neve nuk na dukej asgjë e veçantë”, kujton Sevdija.
Ajo thotë se ky koment i është ngulitur në mendje, ndërsa rrëfen me krenari për arritjet e kushëririt të saj.
“Ne kemi qenë moshatarë. Ai ka qenë studenti më i mirë, edhe shkollës në fshat ia kanë lënë emrin për nder të tij”, tregon Sevdija.
Por, kujtimet e fundit me Jasharin, i cili ishte rreth 45 vjeç kur u zhduk në vitin 1999, nuk i ka kaq të ëmbla.
“Herën e fundit e kam takuar kur na kanë larguar nga banesat. Por, ai shkoi në anën tjetër, ne në tjetrën. Kolona ka qenë shumë e gjatë. Ne kemi shkuar në Gjakovë e pastaj na kanë kthyer prapa. Ai ka shkuar në Prishtinë dhe nuk e kemi parë më”, kujton Sevdija.
Negovan Mavriq
![Negovan Mavriq, vëllai i të cilit është i zhdukur që nga lufta në Kosovë.](https://gdb.rferl.org/01000000-c0a8-0242-1adb-08db47eedc04_w1023_r0_s.jpg)
Negovanit nga Rahoveci i mungon vëllai i tij, Mlladani, që nga 12 tetori i vitit 1999.
Ai ende ruan kujtime të shumta me të, por shprehet i mërzitur që një gjë të tillë nuk mund ta thotë edhe mbesa e tij 23-vjeçare.
“Ai u martua më 15 gusht, 1999, u zhduk më 12 tetor dhe i lindi një vajzë më 11 mars. As vajza nuk e njeh atë, as ai nuk e njeh vajzën. Por, unë e mbaj mend atë si vëlla, që kemi jetuar bashkë”, thotë Negovani.
Ai tregon se më vëllain e tij kanë fjetur në një shtrat “për një kohë shumë, shumë të gjatë, deri vonë”.
Familjarët e shumë personave të zhdukur janë aktivizuar në tentim për ta zbardhur fatin e tyre. Njëri nga ta është edhe Negovani.
“Pavarësisht fesë apo nacionalitetit, ne ende po tentojmë t’i gjejmë 1.621 persona, t’i kthejmë mbetjet e tyre te familjet”, thotë ai.
“Është shumë e vështirë për prindërit që i kanë humbur fëmijët, është shumë e vështirë për bashkëshortet e tyre, është shumë e vështirë për fëmijët që i kanë humbur prindërit dhe për këtë arsye po tentojmë t’ua lehtësojmë dhimbjen duke i detyruar institucionet t’i gjejnë ata”, përfundon Negovani.
Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 me më shumë se 10.000 persona të vrarë dhe mbi 5.000 të zhdukur. Përgjatë viteve, shumë prej mbetjeve mortore janë gjetur në varre masive në Serbi dhe në Kosovë.
Autoritetet kosovare i kanë akuzuar vazhdimisht ato në Serbi se nuk po bëjnë sa duhet për zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave ende të zhdukur.
Më një marrëveshje që kanë arritur në muajin mars në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan që të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur – gjë që mund të bëhet gjatë takimit të tyre të ardhshëm, më 2 maj, në Bruksel/REL