Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi mbrëmë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për targat, e cila ishte arritur në Bruksel në muajin nëntor të vitit të kaluar pas disa javësh tension.
Ai njoftoi se Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar të mërkurën në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022, për të cilat Serbia ishte pajtuar që të ndalojë prodhimin e tyre dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese.
Paralajmërim i ri nga Parlamenti Evropian, pas shuplakës që mori Serbia dje
Sveçla ka shkruar se “duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim” ndërsa tha se “Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.
Në fund, ai ka ftuar të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Kosovë në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Kosovës.
Ujdia për targat ishte arritur më 23 nëntor të vitit të kaluar në një takim në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Ndërmjetës i takimit ishte emisari Miroslav Lajçak.
Derisa informoi për marrëveshjen e arritur, Shefi i Diplomacisë së BE’së Josep Borrell, tha se kjo marrëveshje e arritur ishte bazuar në një parim bazë.
Rrjedhimisht, Borrell kishte thënë se Serbia do të ndalojë së lëshuari targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, që i bie mos shqiptimi i gjobave.
Sipas Sveçlës, Serbia nuk e mbajti premtimin për të cilin ishte zotuar.
Kujtojmë se çështja e targave ishte një temë e gjatë diskutimi derisa përfundoi me marrëveshje. Kryeministri Kurti parimisht pati kategorizuar hyrjen në fuqi të ligjit për targat në disa shkallë, por që as ky vendim nuk ishte pritur mirë nga pala tjetër.
Madje, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se para marrëveshjes për targat e veturave, që u arrit në Bruksel, kishte shenja të përgatitjes për konfrontime serioze. /Reporteri