Ngritja e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit është një sinjal pozitiv, por duhet të bëhet më shumë që vendi të renditet edhe më lart, vlerëson ligjëruesi i politikave mediale, Jeton Mehmeti, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Në indekse të tilla, Kosova matet me vetveten, jo me shtete të tjera. Matet me aspiratat e veta demokratike, matet me synimet drejt orientimeve evropiane, pra duke pasur për bazë modelin dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe ato të Bashkimit Evropian”, thotë Mehmeti në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.
Kosova u rendit e 84-ta nga 180 vende për vitin 2026, duke u ngritur për 15 vende nga viti i kaluar.
Megjithatë, një ndër shqetësimet kryesore, sipas Mehmetit, mbetet klima politike ndaj mediave.
Ai thotë se sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve, përmes etiketimeve të ndryshme, ndikojnë në punën e tyre.
“Kjo ndikon në vetë censurën e gazetarit, sepse gazetarët të cilët ballafaqohen me thirrje të tilla, me etiketime të tilla, pastaj do ta kenë shumë më të vështirë që ta bëjnë punën e vet”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, pesha e fjalëve të njerëzve të cilët janë në pushtet, të cilët kanë vota, të cilët kanë çfarëdo partie politike, është më e madhe dhe ka ndikim më të madh sesa fjala e një individi të thjeshtë.
Mehmeti përmend rritjen e sulmeve verbale dhe fushatave online ndaj gazetarëve si faktor që ka ndikuar në rëniet e mëhershme në renditje.
Përveç presionit të jashtëm, Mehmeti vë në dukje edhe përgjegjësinë e brendshme të mediave.
Ai kujton se mbi 50 për qind të ankesave të shqyrtuara në vitin 2025 nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kanë rezultuar me shkelje të kodit të etikës, kryesisht nga mediat online.
“Kjo tregon se mosrespektimi i standardeve profesionale mbetet një sfidë serioze”, thotë Mehmeti.
Me gjithë sfidat, Mehmeti e sheh pluralizmin medial si një nga pikat më të forta të Kosovës.
“Nuk kemi monopol mbi të vërtetën, por diversitet të mediave dhe opinioneve”, thotë ai, duke theksuar se kjo i jep qytetarëve mundësi për të krahasuar dhe për të krijuar qëndrime të informuara.
Për të përmirësuar më tej situatën, Mehmeti rekomandon përditësimin e legjislacionit në përputhje me standardet evropiane, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm financiarë për mediat dhe ndërtimin e një kulture më bashkëpunuese mes politikës dhe gazetarisë.



Të tjera
Aktuale
Si e cenon politika punën e gazetarëve në Kosovë
Ngritja e Kosovës në Indeksin Botëror
Lajme
Të shtëna me armë zjarri, lëndohet një person në Gjakovë
Një person është lënduar si pasojë
Aktuale
Aksident në Prizren, veturë godet këmbësorët në trotuar
Një aksident trafiku ka ndodhur sot