Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të aprovuara nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE).
Sipas vendimit të ZRRE-së energjia elektrike është shtrenjtuar vetëm për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë ku do të paguajnë 12.5 cent për kilovat. Deri të martën kjo tarifë ka qenë 6.75 cent.
“Sa i përket rritjes së fatuarave të energjisë elektrike është shumë gabim e kanë rënduar qytetarin e thjeshtë, pensionistët e mjerë ata që i kanë nga 100 euro. Nuk po të lejojnë me përdor as thëngjillë, as dru se po ndotet ajri, në anën tjetër e rrit rrymën krejt këto po shkojnë në kurriz të qytetarit, tash jo vetëm rryma – por edhe buka edhe sheqeri edhe vaji kanë me u ngrit në çmim. Qeveria nuk ka faj, por nuk u dashtë me leju me ndodh kjo punë”, potencoi ai.
Pensionisti Selver Dermaku shprehet shumë i pakënaqur me shumën e pensioneve në vend.
“Pensionet nuk kanë lëviz hiç, shtrenjtimet kanë shkuar shumë lart. Po, po na ndihmojnë fëmijët se po me vdek sikur qentë ne”, tha Dermaku.
Ndryshe nga ai, Nezat Aliu thotë se duhet të shtrenjtohen më shumë çmimet meqë sipas tij askush nuk po merret me bujqësi.
“Shumë është rëndë për një numër të qytetarëve jo për krejt dikush po e përballon e dikush jo shtrenjtë janë çmimet e të gjithë e dimë, por se jemi t`u punu pak. I kanë lëshu krejt fshatrat punën. Çka me pritë na edhe ma shtrenjtë mundet me kanë çmimet se askush nuk po prodhon asgjë. Ne kemi jetuar prej bujqësisë përpara t`u dal jashtë vendit në Gjermani e vende tjera. Tokat kanë mbet pa punuar”, tha Aliu për “Front Online”.
Gashi: Situata me energjinë elektrike, e papërballueshme për qytetarët
Situatën me energjinë elektrike e sheh shumë të shqetësuar për qytetarët edhe kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi.
Ai thotë se qeveria nuk ka gjetur kohë për një analizë të mirëfilltë për rritjen e çmimit të rrymës.
“Ne si sindikata e ndajmë të njëjtën shqetësim si qytetarët pasi që koha më të vështirë është bërë kjo rritje se çdo ditë dhe çdo orë ka lëvizje të çmimeve, shporta e qytetarëve është duke u shtrenjtuar tash si barrë i bije edhe shtrenjtimi i rrymës është dashtë me bërë një analizë dhe vlerësim të shihen mundësitë dhe kushtet ekonomike, qeveria nuk ka gjetë kohë dhe nuk e ka parë të arsyeshme t`i vlerësojë edhe pagat e të punësuarve në Republikën e Kosovës se sa, a mundet ta përballojë edhe këtë rritje të çmimit të energjisë. Në këtë kohë nuk është dashur pa bërë një analizë të mirëfilltë rreth kësaj çështje”, tha Gashi për “Front Online”.
Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë elektrike është shumë e papërballueshme për qytetarët.
“Është një numër i konsiderueshëm shumë i madh i qytetarëve të cilët janë vetëm në raste sociale në skemat e ndryshme pastaj niveli i punës dhe i pagës unë mendoj që Kosova pagën mesatare e ka 300/350 euro dhe vetvetiu lind pyetje se sa ka mundësi duke i llogaritur shpenzimet e ushqimit, sëmundjen, shërbimet publike tash edhe rritja. Është e papërballueshme një rritje e tillë”, potencoi Gashi.
Tutje, Gashi thotë se shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje për pagën minimale.
“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që paga minimale të rritet dhe tani veç kemi filluar pasi që është bërë edhe riorganizimi dhe strukturimit i Këshillit Ekonomiko-social në kuadër që jemi edhe ne si konfederatë dhe mendojmë që shumë shpejt do gjejmë një zgjidhje të pranueshme për dy palët”, tha Gashi.
Njohësi i ekonomisë: Ngritja e çmimit të energjisë, e papërballueshme për qytetarin
Edhe njohësi i ekonomisë, Musa Limani ka thënë se ngritja e çmimeve do të ndikojë në buxhetin familjar.
Sipas tij, kjo rritje do të prekë më shumë familjet që kanë të ardhura të ulëta.
“Prandaj, sido që të jetë, çfarë do rritje që të jetë edhe te energjia elektrike, edhe kjo që pritet nafta të jetë deri në 2 euro ndikojnë shumë në buxhetin familjar, buxhetin e konsumatorit dhe mund të them se në këto kushte kur dihet që edhe pagat janë të ulëta papunësia është shumë e madhe atëherë është e papërballueshme për qytetarin e Kosovës çfarëdo rritje që të jetë, e jo këto që janë me të vërtetë rritje enorme”, ka thënë Limani.
Kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të rrymës janë shprehur edhe partitë opozitare. Kohëve të fundit në vend çmimet e produkteve bazë janë rritur dukshëm.
Ndërsa, rritje më e madhe është paralajmëruar ditëve në vazhdim. Çmimi i bukës mund të rritet në 0.60 cent, kurse për naftë është thënë që mund të shkojë deri në 2 euro.