Një dokument zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali, tregon se autoritetet shtetërore kanë nisur verifikime të thelluara lidhur me dokumentacionin financiar që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, një nga projektet më të mëdha strategjike në Shqipëri.
Në shkresën zyrtare drejtuar kompanisë MABCO Constructions S.A., në pronësi të afaristit kosovar Behgjet Pacolli, si dhe subjekteve të tjera të përfshira në projekt, Ministria kërkon sqarime urgjente, dokumentacion shtesë dhe konfirmim të autenticitetit të marrëveshjeve financiare që lidhen me financimin e aeroportit.
Dokumenti, që ka parë Sinjali, ngre shqetësime lidhur me ndikimin që mund të kenë marrëveshje të caktuara financiare mbi strukturën e financimit, administrimin e projektit, të ardhurat, llogaritë bankare dhe dokumentacionin e shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë kërkuar sqarime të detajuara nga të gjitha palët e përfshira, përfshirë MABCO-n, shoqërinë VIA, 2A Group, institucionet financiare dhe subjektet e tjera të ndërlidhura me projektin.
Sipas dokumentit, Ministria kërkon të dijë nëse dokumentacioni i dorëzuar përfaqëson versionin e plotë dhe autentik të marrëveshjeve ekzistuese, nëse ekzistojnë anekse apo dokumente shtesë dhe nëse janë krijuar ose planifikohen të krijohen detyrime që mund të ndikojnë në projektin strategjik të Aeroportit të Vlorës.
Madje, deri në përfundimin e verifikimeve, autoritetet shqiptare kanë kërkuar që të mos ndërmerret asnjë veprim që mund të prodhojë pasoja juridike apo financiare mbi projektin, duke sinjalizuar seriozitetin me të cilin po trajtohet kjo çështje në nivel shtetëror.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata e Tiranës vendosi masë sigurimi ndaj shoqërisë “Vlora International Airport”, duke bllokuar përkohësisht një sërë vendimesh korporative dhe duke urdhëruar ruajtjen e status quo-së deri në përfundimin e mosmarrëveshjes gjyqësore.
Përmasat e kësaj përplasjeje tashmë kanë kaluar kufijtë e një mosmarrëveshjeje të zakonshme biznesi. Kur shteti kërkon verifikime të jashtëzakonshme për financimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, vëmendja nuk është më vetëm tek ortakët, por tek vetë siguria juridike dhe financiare e projektit.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri dhe çdo zhvillim që prek financimin apo strukturën e tij po ndiqet me vëmendje të lartë nga institucionet shtetërore.



Të tjera
Aktuale
Osmani në tubimin përmbyllës të LDK-së: Kosova meriton më shumë, po hapet një kapitull i ri i historisë
Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike
Showbiz
Kylie Jenner “ndez” rrjetet sociale me foto nga pushimet luksoze në Turks dhe Caicos!
Kylie Jenner shijon pushime luksoze në
Aktuale
Auditimi gjen parregullsi në raportin e Zyrës së Kryeministrit
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar