The Telegraph shkruan se shqiptarët kanë postuar video në TikTok ku tregojnë se si të presin byzylykët që drejtësia britanike ua vendos si masë për arrest shtëpiak. Shqiptarët i kanë përshkruar këta byzylykë këmbe si “British Rolex” dhe i kanë hequr edhe duke përdorur gërshërët e kuzhinës. Ata mburren se kjo u mundëson të arratisen pavarësisht kërcënimit me burgim apo ndëshkimeve të tjera.
Në një video të publikuar nga Daily Mail, personi që e heq byzylykun elektronik pyetet se ku është policia dhe ai përgjigjet me shaka “Në komisariat, e hoqa vetë”.
Një tjetër tha se heqja e byzylykut elektronik të dënon me 28 ditë burg, që për të janë “si të hash bukë e djathë”.
Suella Braverman, Sekretarja Britanike e Punëve të Brendshme, (ministrja e brendshme) konfirmoi të hënën se qeveria po shqyrtonte vendosjen e byzylykëve elektronikë si një nga një “gamë opsionesh” për t’u mundësuar ministrave të miratojnë plane për të arrestuar këdo që arrin në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht në mënyrë që ata të mund të deportohen në një vend të tretë të sigurt.
Siç zbulohet nga The Telegraph, ministrat janë detyruar të marrin në konsideratë masa të mëtejshme për shkak të mungesës së vendeve të paraburgimit të emigrantëve, nga të cilat aktualisht janë vetëm 2500, dhe rritjes së vazhdueshme të emigrantëve që kalojnë Kanalin, me 19,000 që kanë mbërritur deri më tani këtë vit.
Megjithatë, ministrat janë të shqetësuar për rrezikun që emigrantët të heqin byzylykët nëse përballen me rrezikun e dëbimit. Ata po planifikojnë të ashpërsojnë kërkesat që ata të raportojnë me tekst ose personalisht tek oficerët e emigracionit disa herë në ditë, si dhe të përdorin teknologjinë GPS të pajisjeve për të gjurmuar pozicionin e tyre 24/7.
Rreth 4000 kriminelë dhe emigrantë të huaj kanë të vendosur byzylykët elektronikë. Shqiptarët përfaqësonin 28 për qind të shkelësve në vitin 2022, sipas të dhënave të marra nga Kryeinspektori i Kufijve dhe Emigracionit.
Vitin e kaluar, ata përbënin më shumë se një të katërtën e 45,755 njerëzve që kaluan Kanalin. Shifrat kanë rënë këtë vit pasi qeveria prezantoi një marrëveshje kthimi me Shqipërinë.