Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mbrëmjen e së premtes në qendër të rajonit të Donetskut në Ukrainë.
Mediat ruse raportojnë se shpërthimi mendohet të ketë ardhur si pasojë e një autobombe dhe është dëgjuar në pjesën më të madhe të rajonit.
Shpërthimi ka ndodhur shumë pranë një ndërtesë qeveritare, ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar.
Më herët gjatë së premtes, mediat në Moskë raportuan se udhëheqësit pro rusë në Donetsk e Lugansk u kanë bërë thirrje popullsisë të largohen sa më parë nga këto zona në drejtim të Rusisë, pasi sipas tyre, forcat e Ukrainës kanë rritur ndjeshëm sulmet.
“Kur armiku bombardon, jeta e dhe shëndeti i qytetarëve tanë mund të jetë në rrezik. Prandaj, nga sot, 18 shkurt, po organizohet një evakuim masiv i popullsisë drejt Rusisë”, ka thënë Denis Pushilin, lideri i prorusëve në Donetsk.
Ai theksoi se tashmë janë bërë gati edhe vendet e strehimit për këta banorë në rajonin e Rostovit në Rusi, pas dakordësisë me autoritetet ruse.
Ndërkohë, lideri i prorusëve në Lugansk, Leonid Pasechnik, ka thënë se forcat ukrainase kanë planifikuar të kryejnë sulme në rajonin që ai pretendon se drejton dhe u ka kërkuar banorëve që të largohen në Rusi sa më parë.
Ky është zhvillimi i fundit që vjen nga tensionet që tashmë janë rritur ndjeshëm mes Rusisë, Ukrainës e Perëndimit. /A2CNN/