Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën ka shkuar në mbi 24 mijë.
Rreth 100 orë pas tërmetit, qindra mijëra njerëz të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe me mungesë ushqimi në kushte dimërore, me temperatura shpesh nën zero, pas tërmeteve me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë që goditën dy shtetet me disa orë diferencë.
Dhjetëra vende kanë premtuar ndihmë dhe kanë dërguar ekipe emergjente, raportoi The Guardian të shtunën.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve në Turqi ka shkuar në 20,655, ndërkaq në Siri në 3,553. Numri total i të vdekurve është 24,208.
Ekspertët kanë thënë se bilanci pritet të vazhdojë të rritet për disa kohë, pasi shumica e njerëzve ishin në gjumë në banesat e tyre kur goditi tërmeti i parë, dhe rrethe të tëra në disa qytete janë kthyer në rrënoja. OKB-ja ka vlerësuar se 24.4 milionë njerëz janë prekur në Siri dhe Turqi.
Më shumë se 17,000 njerëz kanë mbetur të vdekur në vitin 1999 nga një tërmet që kishte goditur Turqinë veriperëndimore, dhe fatkeqësia e këtij viti renditet si e shtata më vdekjeprurëse këtë shekull, më e lartë se lëkundjet dhe cunami i Japonisë i vitit 2011.
SHBA-ja ka ofruar një paketë ndihme prej 85 milionë dollarësh për të cilën tha se do të vazhdonte të jepte “ndihma të nevojshme urgjentisht për miliona njerëz”, duke përfshirë ushqimin, strehimin dhe shërbimet shëndetësore emergjente, si dhe mbështetjen për ujë të pijshëm të sigurt dhe kanalizime.
Ndërkaq, Banka Botërore ka thënë se do të japë 1.78 miliardë dollarë ndihmë për Turqinë. Zyrtarët e lartë të ndihmës, duke përfshirë këtu Tedros Adhanom Ghebreyesus – kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shefin humanitar të OKB-së Martin Griffiths, po planifikojnë të vizitojnë zonat e prekura.