Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) përmes liderit të saj, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se gjasat janë të mëdha që viti i ri shkollor të fillojë me greva të përgjithshme në arsim. Në lidhje me këtë “kërcënim”, ka pasur një reagim edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Pakënaqësitë e SBASHK’ut rreth ligjit për paga duket se do të jenë prapë mollë sherri midis sindikalistëve dhe Qeverisë Kurti, por Nagavci tha se për ligjin po punohet dhe se nuk ka nevojë për, siç i quajti ajo, kërcënime për greva.
“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë”, u shpreh Nagavci, duke iu kundërpërgjigjur kështu kryetarit të SBASHK’ut.
Ajo madje e pranoi se rezultatet në arsim janë larg asaj që i dëshirojnë, duke thënë se duhet shumë punë e përkushtim për të pasur përmirësim.
“Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive.”
Postimi i saj i plotë:
Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë.
Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive.
Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa.
Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme.
Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t’u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim./Botapress.info/