Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vullin, konsideroi se mizoritë e ndodhura në Reçak më 1999-ën janë të mirë-dokumentuara dhe se glofikimi i krimeve të luftës çnderon viktimat.
“Mizoritë që ndodhën në Reçak në janar 1999, përfshirë masakrën ndaj civilëve, janë të mirë-dokumentuara. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe glorifikimi i krimeve të luftës sjell dhimbje për të mbijetuarit, çnderon viktimat dhe përjetëson ndarjet e vazhdueshme që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Deklaratat e DASH-it vijnë pasi ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi më 10 dhjetor se Masakra e Reçakut, ishte një “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vullin.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.
Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.
Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.
Vullin ka mohuar disa herë në të kaluarën Masakrën e Reçakut.