Botapress 28 Prill – Publiku në Kosovë dëshiron që ta shohë jetësimin e procesit të vetting-ut në drejtësi, thotë këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens.
Në këtë intervistë për emisionin për sundim të ligjit ‘Iustitia’, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi, Morton-Owens thotë se si procesi i vetting-ut, po ashtu edhe nisma për Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duhet të hartohen me kujdes.
Sa i përket vetting-ut, ajo thotë se ky proces duhet të bëhet përmes një qasjeje sistematike dhe në të gjitha institucionet, jo vetëm në ato të drejtësi. Sipas saj, propozimet aktuale për këtë, nuk ofrojnë detaje se si Kosova mëton që ta bëjë procesin e vetting-ut.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Sipas Morton-Owens, propozimi që konfiskimi i pasurisë të jetë përmes një procesi civil është gjë e mirë, por ajo tërheq vërejtjen se kjo gjë duhet të bëhet me shumë kujdes.
Duke folur për ligjet që duhet të amendamentohen, ajo përmend Ligjin për përgjegjësinë disiplinore, ku thotë se për shkak të një gabimi, ky ligj nuk po lejon që të suspendohen gjyqtarët dhe prokurorët që bëjnë shkelje të rënda disiplinore.
Radio Evropa e Lirë: Raportet vendore dhe ndërkombëtare sugjerojnë se gjyqësori në Kosovë është në fazën e hershme të përgatitjes, ka mungesë së pavarësisë praktike, paanësisë dhe shumë herë është selektiv dhe persekutues. Sipas jush, a do ta përmirësonte vetting-u sistemin e drejtësisë dhe çfarë lloji i vetting-ut është zgjidhja më e mirë për Kosovën?
Lana Morton-Owens: Është një pyetje shumë e vështirë që t’i përgjigjem në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk dua që t’ju jap një mori skenarësh.
Gjëja e parë është që ju (Kosova) duhet të vendosni se çfarë nënkuptoni me vetting. Termi vetting, siç kuptohet, të paktën në Shtetet e Bashkuara, është që të vlerësoni rreziqet që një individ mund të ketë për ekspozim ose turpërim të institucionit ku ata kanë qenë në pozita që kërkojnë besim. Pra, ne shikojmë nëse ai person mund të jetë subjekt i ryshfetit, a mund ai të vendoset në një pozicion që do të turpëronte ose diçka tjetër, institucionin ku punon. Pra, nëse flasim për këtë, kjo gjithmonë do të jetë e rëndësishme.
Mendoj se ne hyjmë në vështirësi… Siç e dini dhe ju, më 2009 dhe 2010, Kosova ka bërë vetting. Ai proces më pas u adoptua dhe u përshtat në Shqipëri.
Nuk mund të keni një sistem ku ju e bëni të njëjtën gjë vazhdimisht, si një vetting që u krye një herë.
Prandaj, nga perspektiva jonë, juve ju duhet një qasje sistematike dhe në një mënyrë që ka kuptim, sipas meje, dhe shpresoj të ketë kuptim edhe për publikun, është një lloj trekëndëshi, me të gjithë ata që kanë pozita që kërkojnë besimin e publikut. Dhe që të gjithë ata duhet të funksionojnë, në mënyrë që kjo të ecë përpara.
Ju duhet të bëni vlerësimin e performancës, duhet ta dini se kush po e kryen punën mirë dhe kush po performon dobët dhe në cilin aspekt dhe duhet t’i mbani përgjegjës nëse janë të paaftë.
Mendimi në mes të asaj që duket se është korrupsion, por mund të jetë thjesht paaftësi, është mendim i përhapur në Kosovë, të paktën prej asaj që unë kam parë. Pra, ka shumë raste kur dikush beson se diçka është korrupsion, por unë kam qenë dëshmitare, dhe më shumë duket si mungesë e aftësisë apo kapacitetit. Prandaj, ju duhet ta rregulloni atë proces.
Ju po ashtu duhet të rregulloni disiplinën. Duhet të jeni në gjendje që të keni sens të përgjegjësisë kur dikush bën diçka që s’do të duhej ta bënte. Asnjëra prej këtyre nuk do të rregullohej nga asnjë lloj vetting-u që unë kam dëgjuar se është propozuar. Prandaj, nëse ju nuk i bashkoni këto, më pas do të jetë një proces që vështirë se do të rregullohet.
Unë pajtohem se duhet të ketë një sistem, që është sistematik dhe i cili ripërsëritet, që të sigurojë që çdo person që mban një post publik duhet të besohet. Por, ju duhet të punoni së bashku me institucionet që keni, t’i forconi ato mekanizma dhe pajtohem, ndoshta do t’ju duhet një mekanizëm i ri, nuk mendoj se duhet të jetë mekanizëm ndërkombëtar – e dëgjova ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) që tha se duhet të jetë e Kosovës dhe ne e mbështesim këtë. Ky duhet të jetë proces që udhëhiqet nga Kosova dhe ne, si ndërkombëtarë, duhet t’iu ofrojmë ekspertizë.
Por, ngrihet pyetja se kush do të verifikojë ata që e kryejnë vetting-un. Mendoj se Grupi punues që është duke u themeluar, duhet të krijojë një mekanizëm që do të funksionojë për Kosovën, jo për SHBA-në dhe jo për shtetet tjera në Evropë, por një mekanizëm që do të funksionojë në Kosovë. Dhe po ashtu, ju duhet të jeni të kujdesshëm që të mos iu përsëriten gjërat që ndodhën në Shqipëri, sepse shumicës së qytetarëve tani po iu zhvillohen seancat për rastet e tyre në gjykata. Dhe nëse e gjymtoni sistemin, duke larguar nga puna në të njëjtën kohë një numër të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo nuk do të ndodhë dhe duhet tetë vjet që një person të bëhet gjykatës apo prokuror dhe si do t’i zëvendësoni ata, nëse largoni nga puna shumë (gjykatës dhe prokurorë) në të njëjtën kohë.
Prandaj, duke filluar nga lartë, duke verifikuar shefat dhe të gjithë ata që kanë pozita të larta dhe mos harroni, duhet të shikoni edhe stafin. Nëse flisni vetëm për gjyqësorin, bëni gabim. Ju duhet të shikoni në agjencitë kundër korrupsionit, në polici, në administratën tatimore, në njësitë për inteligjencë financiare, duhet t’i verifikoni që të gjithë. Kjo është një sfidë e madhe, por nëse doni që ta bëni mirë, duhet që ta planifikoni mirë dhe nëse arrini të krijoni diçka që është sistematike, do të shihni ndryshime të mëdha në sundimin e ligjit në Kosovë dhe vetëm përparim.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, sa ka nevojë Kosova për një gjë të tillë tash?
Lana Morton-Owens: Është e vështirë të thuhet nga njëshi te dhjeta se ku qëndron Kosova dhe sa ka nevojë për vetting. Besoj se duhet të bëhen disa përmirësime. Nuk e di nëse unë do ta kisha vendosur vetting-un në të njëjtën listë prioritetesh, siç e ka vendosur Qeveria e re e Kosovës, por e respektoj faktin se ky proces është top-prioritet ose njëri nga prioritetet kryesore të qeverisë së re. Qytetarët kanë votuar për qeverinë dhe ky prioritet, është ajo që qytetarët po kërkojnë që të bëhet. Besoj se nuk është detyrë e imja që të them se vetting-u duhet të jetë më poshtë në listën e prioriteteve sepse kjo është ajo për të cilën qytetarët kanë kërkuar.
Radio Evropa e Lirë: A keni parë edhe ndonjë pikë të dobët në këto propozimet që janë prezantuar për procesin e vetting-ut?
Lana Morton-Owens: Nuk janë të mishëruara sa duhet. I kam lexuar të katër propozimet dhe thjesht nuk janë të mishëruara dhe nuk ka detaje të mjaftueshme që të kuptohet se si do të jetë mekanizmi, periudha kohore, kush do të jetë përgjegjës, mbi cilat kritere do të vendoset që të verifikohet një person dhe për shkak të mungesës së amendamentimit të Kushtetutës, sa i përket gjykatësve dhe prokurorëve do të duhet që Këshillat (gjyqësorë dhe prokuroril) t’i largojnë ata nga puna.
Mendoj se ka ende shumë punë për të bërë dhe besoj se këtë do ta bëjë Grupi i ri punues dhe të gjejë një mekanizëm i cili do të ishte i qartë dhe lehtë i zbatueshëm.
Në Kosovë ka shumë ligje, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i tyre. Shumë nga ligjet që keni janë të sofistikuara dhe të draftuara mirë, por jo të zbatueshme në vend. Prandaj, shpresoj se çfarëdo që do të krijojë ky Grup punues, nëse është legjislacion, duhet të jetë i përpiluar mirë në mënyrë që të sigurojë se funksionon për Kosovën.
Kosova ka “persona që mund ta udhëheqin vetting-un”
Radio Evropa e Lirë: Më herët përmendët se kush do ta verifikojë edhe ata që e kryejnë vetting-un. A ka Kosova njerëz që janë të besueshëm për ta kryer këtë proces?